GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, i cili kërkonte lirinë për të kryrë betimin si kryebashkiak i Bashkisë së Himarës.
Kjo gjë solli pakënaqësi nga Vangjel Duke, i cili gjatë një komunikimi për mediat tha se vendimi i marrë ishte i paralajmëruar, pasi vetë Rama i parapriu javën e kaluar vendimit të gjykatës.
“Sapo u komunikua një vendim i paralajmëruar. Kreu i vendit, Rama, i parapriu javën e kaluar vendimit të gjykatës. Është për të shprehur keqardhjen për republikën dhe drejtësinë tonë”, tha Vangjel Dule.
Gjatë seancës gjyqësore Belerit është shprehur se ndaj tij po bëhet padrejtësi e gjithçka po ndodh për interesa politike.
“Ndaj meje po bëhet një padrejtësi për interesa politike dhe financiare. Zgjatja, shtyrja, përcjellja nga gjykata në gjykatë, veprimet tuaja për shtyrje të seancës nuk janë mënyra e duhur e gjykatës për të dhënë drejtësi.
Po më dëmtoni mua, por edhe familjen time.Po ashtu po shkaktoni qëndrime armiqësore, duke na ndarë në grekë dhe jo grekë.Mbështetja e qytetarëve të Himarës më ka dhënë force. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Po dëgjojmë cudira në këtë gjyq”, është shprehur ai ndër të tjera.
Kujtojmë se në seancën e kaluar kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri refuzoi të dëshmonte në gjykatë si i pandehur. Beleri tha se nuk kishte besim te prokuroria, pasi në dosje ka dokumente të falsifikuara.
Kryebashkiaku i Himarës ndodhet në paraburgim prej datës 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi u kap në flagrancë duke premtuar dhe dhënë para për të blerë vota. Pavarësisht se ishte në qeli, ai arriti të fitonte dhe të merrte mandatin nga KQZ.
Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan në kushtet e flagrancës.