
Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi sot kërkesën e Jamarbër Malltezit, i cili kërkoi kthimin e celularit, kompjuterave dhe disa dokumentave që iu sekuestruan në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani.
Aktualisht, Malltezi ndodhet në arrest shtëpie pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas SPAK Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër asoj kohe sa i takon kompleksit Partizani.
LEXO EDHE: Kërkoi heqjen e sekuestros për 25 pasuritë, shtyhet seanca ndaj Jamarbër Malltezit
Në bashkëpunim me Fatmir Bektashin, Malltezi është paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.
Bektashi, ka ndihmuar Malltezin që nëpërmjet “Homeplan” sh.p.k., të realizonin fshehjen e origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit Malltezit, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Po ashtu SPAK ka vënë në sekuestro preventive 25 pasuri të Malltezit, ndër të cilat edhe vilën në Gjirin e Lalëzit. Gjithashtu i janë sekuestruar edhe 6 llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.