Gjykata e Janinës ka refuzuar kërkesën e Laert Haxhiut për azil politik në Greqi. Top Channel raporton se Haxhiut i është refuzuar kërkesa për azil dhe është dërguar në burgin e Koridalos.
Ai do të mbahet atje deri në vendimin përfundmtar të Gjykatës së Lartë greke për azil. Vendim ky që do të merret brenda 3 muajve.
“I rrezikohet jeta prej bandave rivale në Shqipëri, por njëkohësisht Laert Haxhiu rrezikohet edhe prej regjimit të kryeministrit Rama pasi sipas mbrojtjes të tij, Haxhiu rrezikon edhe për ndjenjat e tija filo greke të përndiqet prej regjimit të Ramës pasi atje filo grekët dhe minoritarët përndiqen,duke referuar rastin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë, si rast flagrant të persekutimit të vorioepirotëve”, ka thënë mbrojtja e Haxhiut në gjykatë.
Kujtojmë që Laert Haxhiu u arrestua muaj më parë në Janinë dhe ndodhet në qeli, ndërsa shteti shqiptar ka nisur betejën e ekstradimit.
Ai është dënuar me 18 vite burg për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ngjarje për të cilën më herët janë dënuar me burgim të përjetshëm bashkëpunëtoret e tij Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Ndërkohë, Artan Tafani, “çelësi” i cili zbardhi vrasjet më të bujshme me pagesë në vend, për llogari të grupit të Laert Haxhiut, tregoi për vrasjen e Alban Semakut, Çajup Selimit, Albi Bashaliut, Fridmand Xhaferrajt, Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit.
Sipas tij, Laert Haxhiu ka paguar për disa nga vrasjet Bledar Berberin, Mariglen Topuzin dhe Firdeus Berberin.
Artan Tafani gjithashtu bëri me dije se Doloreza Musabelli, një nga prokuroret e SPAK ishte vënë në shenjestër të Haxhiut, me qëllim eleminimin fizik të saj apo qoftë dhe njerëzve të afërm të familjes. Edhe Merita Selimi ish-prokurore në Lushnjë dhe avokati i Lushnjës, Adriatik Doga, ishin në “rrethi ne kuq” të Haxhiut.