Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Vlorës, ku fatmirësisht falë ndërhyrjes së Policisë nuk përfundoi në një tragjedi. Sipas asaj që blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi kishte kërcënuar me çifte, bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 Tetori”, ku shtetasi Sh.Xh kishte kërcënuar me jetë familjaret. Menjëherë pasi u vunë në dijeni të këtij rasti, shërbimet e Forcës së Posaçme dhe të Komisariatit të Policisë së Vlorës organizuan punën dhe arrestuan 46-vjeçarin. Në momentin që efektivët mbërritën në banesë kryefamiljari kishte tentuar të arratisej me motoçikletë.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut çifte me të cilën 46-vjeçari kanosi familjarët, si dhe motoçikleta me të cilën tentoi të largohej. Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për referimin e materialeve procedurale në Prokurori.
Njoftimi i plotë i Policisë:
DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale, në familje.
Kanosi për jetën, me armë gjahu (çifte), bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, kapet në flagrancë nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në tentativë për t’u larguar me motoçikletë, 46-vjeçari.
Sekuestrohen arma e gjahut (çifte) dhe motoçikleta.
Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e sotme, se një shtetas po kanoste për jetën, me armë gjahu çifte, bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, në banesë, në lagjen “15 Tetori”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia, është kapur në flagrancë në tentativë për t’u larguar me një motoçikletë, shtetasi Sh. Xh., 46 vjeç.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut çifte me të cilën 46-vjeçari kanosi familjarët, si dhe motoçikleta me të cilën tentoi të largohej.
Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për referimin e materialeve procedurale në Prokurori.