Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Kërcënimi i administratorit të Gega Oil: Fshini lajmet ose do penalizoheni! Cili është historiku me prokurorinë i kompanisë së naftës që u hetua për evazion fiskal (DOKUMENTI)

Shkruar nga Newsbomb

Paulin Gega, administrator dhe pronar i Gega Oil që sipas informacioneve publikuar në media ka fituar më së fundi edhe tenderin e furnizimit me karburant të një prej institucioneve kryesore në vend, SHISH, me fonde publike thotë se prokuroria ka pushuar cdo cështje, apo dyshim që ka pasur për konsumim të veprave penale kryer nga firma e drejtuar prej tij.

Madje administratori kërkon heqjen e lajmeve për të dhe për firmën që ai drejton, duke thënë se nuk ka cështje (aktualisht) dhe se ai do ti drejtohet organeve gjyqësore dhe organit të akuzës për të vendosur në vend të drejtat e tij.

Ka disa çështje për të cilat zoti Gega duhet të ketë të qartë se mediat japin informacion për të shkuarën dhe të tashmen e kompanive që kanë qenë subjekt i ligjit.

Newsbomb ka informuar se Gega Oil ka marrë një tender, me para publike, dhe kjo është një e dhënë publike përsa kohë janë para të taksapaguesve shqiptarë.

Ashtu sikurse duhet përmendur se kush është e kaluara e kësaj kompanie.

Vendimi për shpalljen në kërkim të shtetasit Paulin Gega, është bërë nga prokuroria, që në njoftimin e saj të vitit 2019, thoshte se ai e kishte lënë vendin, ndërkohë që mbi të dhe firmën e drejtuar prej tij kishte nisur procesi për evazion fiskal.

Lexo edhe: Doganat i hoqën gjobën 400 mijë euro, Policia “nuk e kapi” dot; Paulin Gega i karburanteve “GEGA OIL” fiton gjysmë miliardi lek tender nga arratia

Doganat shqiptare I kishin vendosur një gjobë 400 mijë euro firmës së drejtuar prej tij, dhe këtë gjobë e hoqën më pas me pretendimin se kishin bërë llogaritë gabim. Dhe kjo, nuk është një akuzë për zotin Gega, por është një e dhënë publike që merret lehtësisht nga institucionet zyrtare të shtetit.

Në gusht 2019, Policia e Shtetit bën njoftimin publik për shpalljen në kërkim të shtetasit Paulin Gega si më poshtë:

Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet tatimore, ka ndjekur veprimtarinë e tatimpaguesit « Gen Klaudis ShA », në vijim të zbatimit të Planit të Masave kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë, dhe ka ushtruar kontroll në datën 07.08.2019.

Nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt.

Menjëherë pas bllokimit, u kryen hetime intensive që çuan në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi Paulin Gega, përmes subjektit “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregëtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme.

Po ky shtetas është proçeduar katër vjet më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave.

Pas veprimeve të saj hetimore, Policia e Shtetit i referoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materialet në ngarkim të shtetasit Paulin Gega.

Prokuroria nxorri një urdhër ndalimi për këtë shtetas, i cili rezultoi se është larguar nga vendi në dt.09.08.2019 . Shtetasi Paulin Gega u shpall në kerkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Njoftimi i mësipërm është njoftim publik, dhe jo një akuzë e bërë nga Newsbomb.

Paulin Gega mund të ketë vazhduar proceset gjyqsore dhe mund të ketë dalë i larë e i pastër ai vetë dhe kompania që drejton nga gjithë historitë që ka me ligjin. Por, informacionet në media nuk fshihen me një të rënë të butonit. 

Zoti Gega mund të kërkojë nga gjykata të drejtën e tij per te pastruar figuren e vet ne media, dhe ndërkohë media do të vazhdojë raportimet e saj për historikun e kësaj kompanie, apo çdo lloj kompanie që përfiton para nga fondet publike të taksapaguesve shqiptarë.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll