Hapësire reklamuese

Politikë

“Kemi bërë edhe gjëra që nuk krenohem”, Rama nuk kursen as të vetët: Njerëz me detyra të larta na kanë turpëruar ne dhe familjen e tyre

Shkruar nga Newsbomb
“Kemi bërë edhe gjëra që nuk krenohem”, Rama nuk

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët e Durrësit, duke i falenderuar për besimin dhe votën e dhënë në zgjedhjet e 14 majit.

Në fjalën e tij Rama u tregua kritik edhe ndaj të vetëve, duke u shprehur se kanë bërë gabime dhe gjëra për të cilat ai nuk është krenar.

Kryeministri theksoi se persona në pozicione të larta detyre kanë turpëruar besimin që iu është dhënë.

Rama: Kemi hyrë në një borxh shumë të madh duke i kërkuar votën njerëzve dhe duke i kërkuar të na besojnë ne se vetëm me ne shkohet përpara. Ajo që kemi marrë prej tyre është një sfidë shumë e madhe, e jashtëzakonshme. Ata bëjnë ca llogari të çuditshme por kanë marrë, nuk kanë marrë 250 mijë vota sepse te votat për kandidatët kundërshtarë janë mbledhur me kuç e me maç. Kurse këta me të cilat Shqipëria ka problemin janë katandisur kokoshi një thelë. Kjo braktisje ka të bëjë edhe me faktin që brenda vetes, edhe pse nuk do e thonë kurrë ata e dinë që ne jemi zgjedhja më e mirë.

Kjo nuk do të thotë që ne i kemi bërë të gjithë gjërat mirë. Kemi bërë gabime. Kemi bërë edhe gjërat për të cilat unë nuk jam krenar dhe do të dëshiroja shumë që të mos i kishim bërë. Nuk flas për ju që jeni këtu, as për Anin, as për Entonin. Flas për udhëheqësa të Partisë Socialiste. Flas për njerëz që kanë marrë gjithçka nga PS, por i kanë dhënë kosto në të gjithë këto vite. Flas për njerëz që kanë marrë detyra të larta, drejtimin e agjencive të rëndësishme dhe kanë turpëruar besimin dhe mbështetjen, flamurin tonë, familjen tonë.

Në fund të ditës përgjegjësia është individuale por një familje, edhe familja e vogël, edhe familja e një kompanie apo skuadre sporti, edhe familja e një partie nuk mban përgjegjësi për atë që bën një individ që del nga shinat, por për mënyrën si reagon në raport me problemin. Që do të thotë merr masa dhe vetëdijësohet që ajo gjë nuk do të përsëritet dhe të tjerët duhet të nxjerrin mësim. Ne kemi shumë mësime për të nxjerrë që të mund ta meritojmë këtë besim dhe këtë mbështetje.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese