Mijëra euro parat të gatshme dhe të depozituara në dy llogari në kriptomonedha janë sekuestruar nga Policia e Tiranës, Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Seksionin për Ndërhyrjet Kibernetike.
Nën drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda proaktive, kanë organizuar operacionin policor të koduar "Crypto", në kuadër të cilit u shpall në kërkim shtetasi R. N., 48 vjeç, banues në Kosovë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi R. B., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi R. N., administronte një subjekt në të cilin kishte punësuar shtetasin R. B. Klientët e këtij subjekti këmbenin para duke i hedhur në portofole virtuale dhe anasjelltas, të padeklaruara pranë organeve kompetente dhe që nuk gjurmohen për origjinën e tyre.
Gjatë operacionit u sekuestruan 60, 665 euro të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme si dhe dy llogari me kriptomonedha, me vlerë 135,000 euro, 2 kompjutera, 1 laptop, dhe një aparat celular.