Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

“Këmbanë alarmi”, Rama reagon për sulmin ndaj policëve të Kosovës: Komuniteti euroatlantik të ulë për dialog Prishtinën e Beogradin

Shkruar nga Newsbomb

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen  rëndë të shënuar në veri të Kosovës, ku u sulmua me armë policia dhe për pasojë humbi jetën një efektiv.

Rama me me anë të një postimi në rrjetet sociale, thotë se kjo është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur.

Kreu i qeverisë thotë se Komuniteti euroatlantik duhet të ulë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Ai shprehet se thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër.

Postimi i plotë i Ramës:

Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë.

Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme  me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese