Kandidati për Bashkinë e Tiranës dhe ish-deputeti demokrat, Belind Këlliçi është shprehur pasditen e kësaj të marte se Partia Social-Demokrate e drejtuar nga Tom Doshi ka blerë vota në zgjedhjet e 14 Majit.
Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë që shpjegon rritjen e kësaj force politike në zgjedhjet e fundit lokale.
Duke ju referuar intervistës që Doshi dha dje në një televizion tjetër, Këlliçi u shpreh se PSD-ja ka dalë forcë e parë edhe në një zonë në Njësinë nr.5 në Tiranë, mbrapa Pallatit me Shigjeta.
"Pjesa tjetër e vulës ka punuar kundër Bardh Spahisë, tha ai. Ka bërë analizë tamam ai, korrekte fare. Ka dalë dhe forcë e parë te Njësia nr.5, ku ka një komunitet të madh romësh. Nuk e di se çfarë programi ka pasur PSD-ja, por di që te Pallati me Shigjeta, PSD-ja është forcë e parë", u shpreh ai.
I ftuar në Syri TV, Belind Këlliçi tha se shpjegimi i vetëm është blerja e votës. "Të vijë një politolog botëror dhe të ma shpjegojë ndryshe nga fenomeni i blerjes së votës. Të më thotë Belind e ke gabim ti, nuk janë blerë votat", vijoi ai.