Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Këlliçi publikon faktet: Bashkia e Tiranës në dispozicion të biznesit të dherave

Shkruar nga Newsbomb

Ish deputeti i PD, Belind Këlliçi ka denoncuar Bashkinë Tiranë, se është vënë në shërbim të inceneratorit të Tiranës përmes biznesit të dherave.

“Një vit pas nënshkrimit të kontratës korruptive për inceneratorin e Tiranës, në datën 18 tetor 2018, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes katër palëve: Inceneratorit fantazëm, Policisë Bashkiake, Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike të Bashkisë Tiranë dhe Inspektoriatit shtetëror të mjedisit.

Kjo marrëveshje, ka si synim vënien nën kontroll të ndërtuesve, favorizimin e miqve të kryetarit të Bashkisë, si dhe vënien e administratës së Bashkisë Tiranë në dispozicion të biznesit korruptiv të dherave.  Vetëm përmes kësaj marrëveshjeje, pronarët e inceneratorit fantazëm të Tiranës, sigurojnë 41 milionë euro nga biznesi monopol i dherave, i cili nuk përfshihet si e ardhur në kontratën konçensionare, të dakortësuar dhe firmosur në mars të vitit 2018 nga vetë Erion Veliaj”, tha Këlliçi në denonciminn e tij.

Këlliçi thotë se palët e përfshira në këtë marrëveshje janë, Inceneratori fantazëm i Tiranës, Policia Bashkiake e Tiranës, Drejtori i Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha dhe Inspektorati i Mjedisit Tiranë.

Në datën 18 qershor 2018, në një komunikim mes punonjësve të inceneratorit dhe bashkisë Tiranë, kompania Arlis Ndërtim, e cila u lejua nga policia Bashkiake të ndërtojë 7 kate pa leje në qendër të Tiranës, në Sheshin Skëndërbej, do t’i shmanget pagesës për depozitimin e dherave, meqenëse kjo kompani do të ndërtonte zyra për  Bashkinë e Tiranës.

Ndërsa në datën 18 maj 2020, vetë Mirel Mërtiri urdhëron që mbetjet e Teatrit Kombëtar, të depozitohen pa asnjë pagesë në landfillin e Sharrës. Një tjetër aferë korruptive kjo, e faktuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Pra, është Erion Veliaj që vendos se cili biznes do të paguajë për depozitimin e dherave dhe cili jo.

Është Erion Veliaj që vërteton, me veprimet e tij dhe të vartësve të tij, se është vetë ai pas aferës së inceneratorit të Tiranës. Pra është Edi Rama pas kësaj skeme, sepse ky është një akt korruptiv qindra milionësh, që kërkon miratimin e shefit, dhe jo një tender i zakonshëm për meremetimin e zyrave të Bashkisë.

Pra, është ajo te e cila Partia Demokratike ngulmon prej kohësh, me fakte dhe prova konkrete, se ujku është te Edi Rama e Erion Veliaj dhe SPAK nuk ka pse na tregon gjurmën e lepujve të kësaj afer , si Koka, Bllako, apo të tjerë.

SPAK në një vjedhje kaq flagrante dhe madhore, nuk mund te hetojë vetëm të vegjlit. Hetoni ata në krye të piramidës korruptive, që janë arkitektët, sponsorët dhe përfituesit e mëdhenj të kësaj afere.

Vetëm kështu besimi i publikut meritohet. Vetëm kështu bëhet drejtësia. Pas kësaj deklarate, këto dokumente autentike dhe shumë dokumente te tjera, që do t’i bëjmë publike në ditët në vijim, do t’i përcillen sërish zyrtarisht z. Altin Dumani, Drejtuesit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, tha Këlliçi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese