Komisioni Evropian propozoi sot një heqje të vizave për qytetarët turq që udhëtojnë në hapësirën Schengen, nën disa kushte, në kuadër të marrëveshjes së arritur më 18 mars mes BE-së dhe Turqisë mbi menaxhimin e krizës migratore.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social “Twitter”, komisionerja evropiane, Margrethe Vestager, publikoi një foto ku tregohen dokumente sipas të cilave ekzekutivi evropian zyrtarizon këtë masë shumë të pritur nga qeveria turke.
“Mes një serie prej 72 kriteresh që duhen përmbushur për të bërë këtë masë të mundshme, Ankarasë i duhet të respektojë edhe pesë kritere deri në fund të qershorit”, shpjegoi në një konferencë për shtyp zëvendëspresidenti i Komisionit, Frans Timmermans.
Qeveria turke kishte rritur presionin javët e fundit, duke kërcënuar se nuk do të aplikojë më pjesën e saj të marrëveshjes migratore të 18 marsit nëse premtimi evropian për një heqje të vizave nuk plotësohet.