Hapësire reklamuese

Politikë

Kavajasi i Elbasanit, një portret i paautorizuar për dyshin e PD pas një sherri në Parlament mes vrasësit dhe hajdutit

Shkruar nga Newsbomb
Kavajasi i Elbasanit, një portret i paautorizuar për dyshin e PD pas

Nga Bedri Islami

Deri katër vite më parë, Gazmend Bardhi ishte thuajse një kavajas i panjohur në oborrin e madh të Partisë Demokratike, ku lëviznin dhjetëra e dhjetëra të tjerë me shpresën se nga ajo seli do të niseshin drejt pushtetit. Pak vetë e dinin se kush ishte ky njeri, i afruar befas nga Basha dhe që nuk bënte pjesë në grupin e njohur të ardhur nga Kosova.

Ishte një ardhje e re, fillimisht disi i hutuar, me shikimin e turbullt dhe asnjëherë drejt, çka ndodh edhe tani, ndoshta i befasuar pse ishte aty dhe pamja e tij e jashtme, fillimisht me mjekrën e paktë dhe që do i rritej gjithnjë më shumë, sa më lart ngrihej në hierarkinë e opozitës nuk e di pse më kujtonte një hierark të njohur të Gjermanisë së Dikurshme, mendim nga i cili largohesha me shpejtësi. Dukej i drojtur, por vëzhgues. Dukej i pavëmendshëm, por ndjekës i gjurmës së pushtetit.

Për herë të parë ai doli në skalionin e parë kur Basha, përmes Marrëveshjes së Panjohur ende, por të hallakatur të 17 majit me Edi Ramën, braktisi brenda natës çadrën dhe mori disa dikastere të rëndësishme dhe institucione fitimprurëse.

Mes ministrave të rinj dhe të përkohshëm ishte edhe Gazmend Bardhi. 31-vjeçar, që spostoi mediokrin Vasili nga posti i tij. Basha i besoi atij postin e Ministrit të Drejtësisë, pikërisht 11 vite pasi kishte përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, për drejtësi dhe nisi rruga e tij drejt trupës drejtuese të PD-së. Në zyrën ministrore, ai kishte hyrë edhe si këshilltari i ish-Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, tani do të zinte për disa muaj karrigen ministrore.

Shumë vetë në oborrin e SHQUP-it politik menduan se kjo ishte diçka e përkohshme, zgjedhje teknike më shumë se start politik, si kishte qenë edhe emërimi i çastit i disa ministrave të tjerë, aq më shumë kur pas humbjes plebishitare të qershorit 2017, ai u kthye si këshilltari juridik i Bashës.

Tani Bardhi është figura numër 2 e opozitës. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe hija politike që ndjek besnikërisht njeriun që e rriti, e afishoi dhe i besoi më shumë se gjithkujt tjetër. Njeriu që dukej i heshtur, disi i squllur, me vështrimin anash dhe i butë, hapi kthetrat dhe dëshiroi të bëhet fajkoi i opozitës. Pak e besueshme, por e vërtetë. Kishte mjaftuar një çast për shpalljen e ndryshimit të tij, por gjërat që kishin rrjedhur nën ujëra kishin ndryshuar shumëçka.

Ristani, deri asaj kohe sekretar i përgjithshëm, si shpërblim për masakrën zgjedhore për kryebashkiakun e Tiranës, e kishte kryer misionin e tij. E larguan. Tani është i tepërt, për të qenë nesër i padëshirueshëm.

Në zgjedhjet politike të 25 prillit, Gazmend Bardhi, do të udhëhiqte listën e PD-së, në qarkun e Elbasanit.

Dukej e papritur kjo zgjedhje. Elbasani ishte e vazhdon të jetë një bastion e krimit dhe i politikës, ku herë-herë, ky i fundit, ka dominuar mbi gjithçka dhe në të cilin, jo rrallë herë, bandat përplaseshin me njëra tjetrën në një egërsi të pashoqe.

Socialistët kishin shumë vite që dominonin qytetin, një bashkësi e shqiptarëve çamë ishte, po ashtu e fuqishme dhe po lidhej me të majtën qeverisëse; edhe para se të bëhej bojkoti i zgjedhjeve vendore, një absurditet i mendjeve të ngushta, socialistët kishin qeverisur në disa mandate. Ishte një vorbull që të merrte para dhe pikërisht për ta ndaluar atë, Basha delegoi njeriun që njihej i brishtë dhe që nuk e di pse më kujton figurën e njohur të një hierarku të njohur të botës gjermane.

Vëzhguesit e ngeshëm kishin vënë re se më parë se të delegohej në qarkun e Elbasanit, gjuha politike e Bardhit ishte ashpërsuar së tepërmi, duke i ngjarë më shumë asaj të Berishës, se sa të Bashës. Ai tani, gjithnjë e më shumë po fliste për Ramën si politikani që mbetet vegël në dorën e krimit të organizuar dhe të hajdutëve, të cilin nuk e beson më askush, si kryetarin e Komitetit të hajdutëve. Nga Bardhi disi i përulur dhe anësor po ngrihej figura e njeriut që do të ketë në të ardhmen rolin kryesor në betejën e gjatë me shumicën qeverisëse. Por përsëri gjithçka dukej surreale.

Në Elbasan ndodhi ngjarja që shënoi fillesën e figurës së fajkoit dhe la pas hijen e njeriut të zbehtë. Në mes të ditës, në një përplasje të paralajmëruar dhe të përgatitur pikërisht nga grupi shoqërues i Bardhit, u vra një militant dhe figurë e njohur e qytetit, Pjerin Xhuvani.

Në momentet e para, Gazmend Bardhi pranoi që PD ka një strukturë për mbrojtjen e votës. Sipas tij, struktura e PD-së ka ndaluar një person që do të jepte para për blerjen e votës dhe ka njoftuar policinë. Ai nuk sqaroi dot se, në bazë të cilit ligj ekzistues, një forcë politike ka të drejtë të organizojë një strukturë për mbrojtjen e votës dhe që kjo strukturë të jetë e armatosur.

Ai theksoi në deklaratën e tij se këta janë individë profesionistë pa precedent penalë dhe se mes tyre, vetëm njëri është i armatosur, Paplekaj, i cili mban armë me leje. Faktet e mëvonshme treguan momente kur furgonët e Partisë Demokratike, të mbushur me militantë profesionistë, pasi vinin nga radhët e strukturave të Policisë apo njësive speciale, të larguara prej saj, kalonin me shpejtësi në rrugët e Elbasanit, vetëm dy orë para se të ndodhte krimi i rëndë.

Mjetet kanë logon e PD-së dhe marrja e tyre me qira është financuar po nga opozita. Nga aty, struktura e Bardhit ka qenë pjesë e masakrës me një të vdekur dhe katër të plagosur.

Tani ngjarja është në hetim e sipër dhe nuk është temë e këtij shkrimi. Pyetja është tjetër: Përse zoti Bardhi, sa herë që përmendet ngjarja e Elbasanit, revoltohet, del nga vetja, nuk përgjigjet normalisht dhe nuk dëshmon të saktën?

Cila ishte lidhja e tij me këtë strukturë, që në fakt, në qarkun e Elbasanit, varej e komandohej nga ai? Përse tani ai kërkon shkëputjen e plotë të emrit të tij nga autori i vrasjes e çfarë mund të ndodhë një ditë të ardhshme, kur jo rastësisht, ai do e mohojë krejtësisht atë?

Në debatin e ditëve të fundit me njërin nga zëvendësministrat e shtetit, sapo i përmendën të vrarin në Elbasan, për të cilin ende nuk ka kërkuar falje, Bardhi ka shpërthimin e tij të radhës:

– Kujt i tregon vrasjet ti, o hajdut. Ik mor hajdut… Mbylle mikrofonin aty dhe dil përjashta, hajdut!

Në formatimin e Partisë Demokratike ka pasur gjithnjë një strukturë që ngjante me një detashment të forcës dhe të presionit. Është ngritur që në krye të herës dhe përmes këtij formacioni, janë bërë akte të shëmtuara, tragjike, që kanë pasur rëndesë edhe vrasjet e vdekjet. Dëshmitë e Izet Haxhisë, si njëri nga premierët e këtyre strukturave, janë të qarta.

Pas tyre kanë qëndruar përgjithësisht njerëz të hurit e të litarit, që ishin aty për të shërbyer dhe se nuk kishin arsye të ndodheshin më sipër. Tani, një ish-ministër drejtësie, aspirant për më lart, i diplomuar, këshilltar ligjor dhe figura e dytë pas Bashës, dëshmon se ka ngritur këto struktura dhe përmes tyre synon krijimin e një paralele të dytë në zinxhirin e sigurisë.

Përse ai revoltohet sa herë që i përmendet vrasja e Elbasanit? Cili ishte roli i tij? A ishte prania e tij dëshmi e lidhjes me krimin, pasi ndodhi një vrasje dhe u ngrit një strukturë që vrau dhe mund të vriste ende?

Koha e deritanishme ka qenë e pamjaftueshme për organet e specializuara për të dhënë të vërtetën, por nuk dua të besoj se do të jetë gjithnjë e tillë. Ndoshta ai që është në burg është thjesht dora, ndërsa gishti ishte diku tjetër. Sepse mendja ishte në selinë blu e ku vazhdon të jetë.

/Botuar në DITA

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll