Rreth 229,000 ton plastikë hidhen çdo vit në detin Mesdhe, shifër që rrezikon të dyfishohet deri në 2040-ën, nëse nuk merren masa.
Ky është përfundimi i Mare Plasticum: Raporti Mesdhetar, i përgatitur nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), bazuar në studimet në terren dhe monitorimin e shkarkimeve nga 33 vende.
Përfundimi i frikshëm është se 1 milion ton plastikë është grumbulluar tashmë në Mesdhe. Studimi thotë se plastika, sapo mbërrin në Mesdhe depozitohet kryesisht në sedimente në formën e mikroplastikës, grimca më të vogla se 5 milimetra.
Egjipti është kontribuesi më i madh në këtë ndotje me 74,000 ton në vit, e ndjekur nga Italia me 34,000 ton dhe Turqia me 24,000.
Ndërsa për sa i përket hedhjeve të plastikës në det “për frymë”, vendin e parë e mban Mali i Zi me 8 kilogram për person në vit, e ndejkur nga Shqipëria dhe Bosnja me nga 3 kilogram.
Pluhuri i gomave është kontribuesi më i madh i kësaj ndotje me 53%, tekstilet 33% produktet kozmetike 12%.