Përfaqësuesit e LSI-së dhe PDIU-së u përplasën pak ditë më parë në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me faktin se cilës prej partive i takon të ketë numëruesin e katërt të votave, në zgjedhjet e 25 prillit.
PDIU, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017 pretendoi se numëruesi i katërt në grupet e numërimit të votave do duhet të ndahej me short me LSI-në pasi të dyja partitë janë forca opozitare.
Përfaqësuesi i LSI-së u shpreh kundër duke argumentuar se PDIU nuk ka listën e vet të kandidatëve në fletën e votimit sepse është nën siglën e PD.
Për këtë arsye, PDIU paraqiti një ankesë pranë KAS (Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve) në KQZ, e cila ka nisur shqyrtimin prej orës 11:00 të ditës së sotme.
Pak ditë më parë Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi që numëruesin e katërt ta marrë LSI. Ne bazë të vendimit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, nga katër numërues votash që do të ketë një tavolinë, 2 janë të PS-së, një të PD-së një të LSI-së.