Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës një kërkesë për anulimin e vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për vendosjen e karantinës për dy javë për shtetasit shqiptarë të cilët vijnë nga Greqia dhe Maqedonia.
Sipas LSI-së, ky vendim është në shkelje të hapur me Kushtetutën, pasi është marrë pa prova dhe me qëndrime të njëanshme.
“Këtë akt administrativ ne e konsiderojmë të marrë pa prova, me qëndrime të njëanshme dhe të paligjshme nga pala e paditur, në kundërshtim, në lajthitje, si dhe në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore të ligjit dhe rregullave të prokurimit publik”,- thuhet në kërkesë.
Kërkesa e plotë:
Ku na ndajnë 5 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që për dy javët e ardhshme, personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia duhet të bëjnë karantinë,
Megjithëse Komiteti Teknik thotë se kjo masë sipas tyre është marrë për të kufizuar përhapjen e covid19, konkretisht emigrantët që kthehen në atdhe nga Greqia apo nga Maqedonia, duke nisur nga sot nuk do të mund të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dy javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri në datën 3 maj. Do ta rivlerësojmë, në varësi të dinamikës së situatës, do ta vlerësojmë përsëri pas dy javës.”, tha Rakacolli.