Hapësire reklamuese

Aktualitet

Kapja e shtetit dhe… perspektiva e munguar e të rinjve

Shkruar nga Newsbomb

Kapja e shtetit: “Një lloj korrupsioni politik sistemik, në të cilin interesat private ndikojnë dukshëm në proceset vendimmarrëse të një shteti, duke i përdorur në avantazhin e tyre”. Përkufizimi klasik i kapjes së shtetit i referohet mënyrës sesi procedurat formale (të tilla si ligjet dhe normat shoqërore) dhe burokracia qeveritare manipulohen nga individë dhe firma private, në mënyrë që të ndikojnë në politikat dhe ligjet e shtetit, në favor të tyre.

Kapja e shtetit kërkon të ndikojë në formimin e ligjeve, në mënyrë që të mbrojë dhe promovojë interesa private. Në këtë mënyrë, ai ndryshon nga shumica e formave të tjera të korrupsionit, të cilat në vend të kësaj kërkojnë zbatimin selektiv të ligjeve tashmë ekzistuese.

Një raport i fundit i “Transparency International” e rendiste Shqipërinë, ndër shtetet që kanë nivel të lartë të kapjes së shtetit për qëllime korruptive, duke përmendur ligje të personalizuara, ose të bëra me porosi, që legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike, duke e bërë atë të ligjshme.

Në fakt, gjetjet e raportit janë konfirmim i asaj që po diskutohet prej vitesh tashmë. Qeveritë e të gjitha kaheve nuk kanë pasur vizion të qëndrueshëm dhe afatgjatë për zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë, si dhe të atyre sektorëve që kanë vlerë të shtuar dhe avantazhe konkurruese.

Qëllimi parësor rezulton se kanë qenë fitimet afatshkurtra dhe favorizimi i grupeve të caktuara të interesit. Kemi parë shumë raste të ndryshimeve ligjore të hartuara, edhe pse janë kundërshtuar nga grupet e interesit dhe nga institucionet ndërkombëtare, si dhe nuk kishin një analizë të qartë të kostove dhe përfitimeve.

Nga ana tjetër, e gjithë politika e ndjekur vitet e fundit për Partneritetet Publike – Private ka mungesë të qartë të analizës kosto – përfitime dhe ka ngritur dyshime të shumta, si për kostot e larta, me të cilat do të bëhen këto projekte, ashtu dhe për rrezikun e pastrimit të parave.

Nëse do të shohim atë që po ndodh sot në ekonomi, është e dukshme se, jo vetëm që nuk mund të flitet për një model zhvillimi të qëndrueshëm, por përkundrazi ka një rritje të pastrimit të parave, sidomos në sektorin e ndërtimit. Kjo krijon iluzionin e një rritje ekonomike, kur në fakt ajo që po ndodh është vetëm shtimi i pabarazisë në vend. Bizneset e vogla, nuk po arrijnë t’i mbijetojnë krizës dhe po mbyllen, duke ndikuar rritjen e varfërisë në vend dhe duke lënë terren për hyrjen e atyre që i kanë fituar paratë nga aktivitetet e paligjshme.

Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se në tremujorin e dytë, aktiviteti i pasurive të paluajtshme ishte i vetmi që shënoi rritje me rreth 5%, me bazë vjetore, kur për të njëjtën periudhë, ekonomia ra me 10.2%. Ndërsa në tremujorin e tretë, të gjithë sektorët ishin me rënie, sidomos shërbimet, ndërsa ndërtimi u rrit me 16%.

Të gjithë këta janë tregues direktë dhe indirektë se, politikat e ndjekura nga qeveria kanë qenë favorizuese vetëm për një grusht të vogël njerëzish dhe nuk kanë ndikuar në përmirësimin e jetesës së pjesës më të madhe të shqiptarëve. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit të Eurostat, sipas të cilave, Shqipëria mbetet edhe sot shteti më i varfër i Europës, me 31% të të ardhurave për frymë të mesatares europiane dhe me pagat mesatare më të ulëtat, edhe në krahasim me fqinjët e rajonit.

Pasojat e “kapjes së shtetit” kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të dukshme. Për fat të keq, ata të cilët po diktohen më shumë janë dhe e ardhmja e vendit, të rinjtë. Sipas Eurostat, rreth 80% e kërkesave për azil në dekadën e fundit ishin nga grupmoshat më të vogla se 34 vjeç.

Mungesa e perspektivës dhe humbja e shpresës është e dukshme në sjelljen e tyre, me sondazhet që tregojnë se ata kanë humbur interesin të ushtrojnë dhe të drejtën e tyre themelore, atë të votimit. Ky brez po e sheh të ardhmen jashtë vendit, jo vetëm për t’u shkolluar, por edhe për të filluar një punë  më pas dhe për të ngritur jetën në vendin mëmë.

Pagat më të ulëta në Europë, mungesa e alternativave të punësimit (zgjidhja për shumëkënd janë vetëm call center), apo  avancimi në karrierë vetëm nëpërmjet lidhjeve nepotike e politike, janë pasoja që i ka sjellë mungesa e politikave zhvillimore dhe “kapja e shtetit”. Për të rinjtë, vendi po bëhet “Shqipëria që nuk duhet”, ndaj kjo mungesë besimi dhe perspektive duhet të shihet si një sinjal alarmi për të orientuar vendin drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, ku brezi i ri duhet të jetë ai i cili duhet të “kapë shtetin”. /Monitor

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu