Policia kufitare ka goditur këtë të mërkurë dy raste të trafikimit të automjeteve të vjedhura.
Në pikën kufitare të Morinës, u konstatua një karrotrec që transportonte dy automjete të vjedhura në Çeki dhe Gjermani, si dhe është proceduar penalisht 40-vjeçari që drejtonte mjetin. Ndërsa në Portin e Durrësit, një automjet i vjedhur në Itali është kapur nga policia, duke proceduar penalisht 49-vjeçarin.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 40 vjeç, banues në Gjilan, pasi në hyrje të vendit, në PKK Morinë, drejtonte një karrotrec me të cilin transportonte 2 automjete tip “Mercedes Benz” dhe tip “BMË X5”, të cilat nga verifikimet rezultuan se ishin të shpallura në kërkim përkatësisht nga Interpol Praga dhe Interpol Wiesbaden.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 49 vjeç, banues në Shijak, pasi në hyrje të vendit, në PKK Port, Durrës, drejtonte një automjet tip “Audi A4”, i cili nga verifikimet rezultoi se ishte vjedhur në Itali, më datë 18.11.2018.