
“Ky është vetëm fillimi”. Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha në lidhje me situatën kaotike të shkaktuar nga opozita ditën e sotme në Kuvend.
Berisha për media tha se nuk do të ndalen deri sa opozita të fitojë të drejtat e saj Kushtetuese. Në lidhje me pyetjen nëse do të futen në grevë urie, ai tha se nuk është marrë ende një vendim për këtë, duke ritheksuar se nuk do të ndalen deri sa fitojnë të drejtat e tyre.
“Kjo ishte grevë. Ne shpallëm një grevë të përkohshme aq sa do vazhdonte turpi i parlamentit. Unë ua thashë edhe deputetëve socialistë, ne nuk kemi punë me ta, ne kemi punë me Edi Ramën. Ne nuk heqim dorë, ky është vetëm fillimi.
Po ne kërkojmë të drejtat tona kushtetuese, së pari të drejtën e krijimit të komisionit hetimor parlamentar; së dyti, të drejtën e procedurës parlamentare për nismat tona ligjvënëse. Ne nuk themi se nisma jonë ligjvënëse do shndërrohet në ligj, por ajo duhet të kalojë të gjithë procedurën parlamentare dhe të mos mbetet në sirtaret e Lindës së parlamentit.
Kjo nuk ndodh kund në botë. Ne kërkojmë që përfaqësuesit tanë, në komisione dhe kudo, t’i caktojë grupi parlamentar dhe jo Edi Rama. Besoj se këto janë kërkesat më legjitime, pa të cilat ne nuk kemi asnjë lloj autorizimi nga zgjedhësit tanë që të vazhdojmë si marioneta në aktivitetin tonë parlamentar.
Nuk është marrë një vendim akoma për çështjen e grevës së urisë. Po dijeni se ky është fillimi. Jemi të vendosur deri në sakrifikim për të marrë atë që këkrojmë”, tha Berisha ndër të tjera.