Këtë të mërkurë pritet të mbahet mbledhja e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve që shkaktuan trazira dhe ndezën flakedanë në seancën e fundit plenare.
Ende nuk dihet se për cilët deputetë bëhet fjalë konkretisht, por një pjesë prej tyre hodhën tymuese në sallën e Kuvendit, duke përsëritur kështu të njëjtat skenare të ndjekura dhe përgjatë seancave të kaluara.
Ka qenë deputeti demokrat, Flamur Noka, ai i cili ndezi fillimisht tymueset në sallë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e përjashtoi këtë të fundit nga seanca.
Tymueset shumëngjyrëshe u ndezën pasi deputetët e opozitës përmbysën karriget, duke e bërë thuajse të pamundur zhvillimin e seancës plenare.
Ndërkohë, nga ajo çfarë u pa në media, në një moment u përfshi nga zjarri një prej poltroneve dhe kanë qenë punonjësit e Gardës ata të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve.