
Një prokuror i SPAK dhe dy oficerë të BKH kanë "zbarkuar" në ambientet e Kuvendit, pas ngjarjeve të regjistruara paraditen e sotme ku njëjtë si seancat e kaluara dhe seanca e sotme plenare u zhvillua mes kaosit, zhurmës dhe përplasjeve mes deputetëve.
Burime për mediat bëjnë me dije se autoritetet janë duke mbledhur provat për incidentet e ndodhura në ambientet e Kuvendit. Kujtojmë se pak më herët në Parlament shkuan dhe forcat e Policisë së Tiranës, të shoqëruar edhe nga Drejtori i Policisë, Tonin Vocaj.
Paraditen e sotme, ashtu si dhe deputetët e opozitës kishin paralajmëruar më herët, nuk lejuan zhvillimin normal të seancës plenarë. Ata ndezën flakadanët, gjithashtu nuk munguan as përplasjet fizike mes deputetit socialist Xhemal Qefalia dhe deputetëve të PD Xhelal Mziu dhe Edmond Spaho. Zhurma nuk u ndal asnjë sekond, pasi deputetët përplasinin duar mbi tavolina, ndërsa në një moment Ervin Salianji ndezin edhe flakadan blu. Një gardist ka arritur t’i heqë nga dora Salianjit flakadanin, ndërsa ky i fundit tentoi ta godiste me karrige.