Kaos në lëvizjen e automjeteve në aksin Thumanë- Fushë Krujë. Prej dy orësh është bllokuar thuajse tërësisht lëvizja e automjeteve në drejtim të Fushë Krujës, madje vargu i automjeteve ka mbërritur deri në superstradë, pranë Thumanës.
Kjo situatë shfaqet në stinën e sezonit veror me ardhjen e emigrantëve, duke shtuar fluksin e automjeteve. Një faktor tjetër i kësaj situate të pazakontë në këtë segment rrugor janë edhe punimet që po kryhen pranë urës në Fushë Krujë.
Disa drejtues mjetesh kanë zgjedhur aksin e vjetër nga Thumanë në Fushë Krujë, por sërish ata përballen me të njëjtën situatë pranë unazës në afërsi të Fushë Krujës. Sakaq mjaft probleme ka sjellë edhe ura Zezë në Fushë Krujë, pasi prej dy javësh ka nisur rikonstruksioni i saj. Do të duhen më shumë se dy orë në afro shtatë km rrugë të përshkohen nga Thumana në Fushë Krujë.
Dy autoambulanca janë përballuar më këtë situatë të trafikut, ndonëse janë përpjekur të zgjedhin ndonjë shteg për të dërguar të sëmurët në kryeqytet, ndërsa drejtuesit thonë se është e papranueshme kjo situatë kaotike në lëvizjen e tyre në këtë aks rugor mjaft të përfolur dhe nga aksidentet rrugore.