Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Kanioneve të Osumit në Skrapar u del pronari

Shkruar nga Newsbomb
Kanioneve të Osumit në Skrapar u del pronari

Fiks Fare faktoi mbrëmjen e sotme me zë dhe dokumente se Monumentit të Natyrës “Kanionet e Osumit” në Skrapar u ka dalë pronari! Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua qytetari Andon Lushaj nga Skrapari.

Ai tregoi se është banor i zonës, por jeton në Vlorë. Duke qenë se e njihte shumë mirë lumin Osum dhe Kanionet, para 5 vitesh ka ngritur një konstruksion druri në afërsi të Kanioneve, te vendi Ura e Zabërzanit. Ka pasur vetëm një tendë, me dërrasa dhe poshtë të shtruar me pllaka guri. Ka marrë leje nga Bashkia e Skraparit, ka paguar detyrimet 300 mijë lekë të vjetra në sezon.

Lushaj pohon se ngjitur me vendin ku ushtronte aktivitetin është edhe një konstruksion druri, i ngritur nga Bashkia e Skraparit në vitin 2016. Por, vendi i tij ishte në zallishte dhe në llumin që nxjerr lumi.

“Në vitin 2022 më erdhi një person i quajtur Dashi Satko dhe më tha se vendi ku kisha ngritur konstruksionin e drurit ishte pronë e tij. Më erdhi me policinë dhe më proceduan për zaptim prone” pohoi Lushaj, teksa pohoi se vendi nuk ishte pronë e tij, por e shtetit dhe ishte në lumë.

“Si u bë private?! Nëse është privat, unë as nuk shkoj më. As atje dhe as do lahem në lumë” vijon qytetari, teksa pohon se në stinën e dimrit, vendi ku ai kishte strukturën e drurit, mbushet me ujë.

“Unë e kisha në harmoni me mjedisin. Tani s’më japin leje, jo është private, jo e kanë zonat e mbrojtura. Ku ishin zonat e mbrojtura kur doli ky pronar i lumit?” pohon denoncuesi, teksa shton se në afërsi të Kanioneve ka disa aktivitete, por vetëm ai i tij u mbyll.

“Kur vinin këtu te unë s’panë ato të tjerat. 50 metra larg meje është një tjetër që s’është mbyllur as nga Bashkia dhe as nga Zonat e Mbrojtura” përfundon Lushaj.

Pas kësaj ankese, gazetarët e Fiks Fare bisedojnë me kryetarin e Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema. “Atje ku është ndërtuar struktura e drurit është pronë shtet, pavarësisht pretendimeve që një individ i caktuar ka mbi atë sipërfaqe! Dhe duke qenë se ato janë ndërtuar në mos gaboj në 2016-ën individi në fjalë nuk kishte pse e nxirrte sot problemin. Por duhet ta nxirrte që atëherë shiko se jeni duke ndërtuar në tokën time. Çështja është që vitin e kaluar unë i kam dhënë leje për ushtrimin e këtij biznesi këtij zotërisë (denoncuesit) në atë sipërfaqe që është le të themi buzë lumit. Ndërsa struktura prej druri është akoma më lartë se kjo. Gjatë vitit të kaluar jam ndeshur me probleme dhe me ankesa nga një subjekt tjetër që pretendon se kjo është prona ime sepse ka blerë një pyll le të themi shumë afër kësaj sipërfaqe” pohon Mema, ndërsa shton se edhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura pohon se është zonë e mbrojtur. “Do të thotë që unë si Bashki jam ndeshur përballë dy situatave. Një individ që pretendon se kjo është prona ime, gjë që nuk është e vërtetë dhe një agjenci shtetërore siç janë Zonat e Mbrojtura që thonë se kjo është zonë e mbrojtur. Kjo situatë vitin e kaluar shkoi në prokurori. Dhe unë i kam paraqitur Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat të gjithë dokumentacionin dhe të gjithë argumentet ku i thoja që, i qendroj edhe sot e kësaj dite, opsionit që kjo pronë është pasuri shtetërore!” shtotë kryetari i Bashkisë Skrapar, duke përsëritur se “pronë shtetërore është edhe ku ka pasur aktivitetin z. Lushaj edhe ku është ndërtuar ajo strukturë druri!”.

 

“Ajo është zallishte zotëri! Edhe unë sot si bashki i qendroj se ajo është zall, sepse edhe sot po të shkosh, po të bjerë shi aty, ajo përmbytet gjatë dimrit. Aq afër është me lumin. Do të thotë që ajo nuk është pyll kurrë në botë. Në atë vend ku z. Lushaj ka ushtruar aktivitetin tash sa vite, ajo ka qenë rrugë që banorët e asaj zone që banorët e Zabërzanit e aksesonin, ishte rruga e tyre për tek ura, ajo që njihet si “Ura e Zabërzanit”. Do të thotë që bie pretendimi i dikujt që thotë është prona ime për shkak se është shumë shumë afër lumit. Zallishte!” vijoi Mema. Në fund ai tha se zona në fjalë do të rehabilitohet për ta kthyer në një kamp për fëmijë.

Fiksi kontaktoi dhe me personin që ka dalë pronar i hyrjes së Kanionit, Dashi Satko, duke e pyetur për këtë problematike. “S’i kam thënë unë që është pronë private! Unë i kam qit dokumentet se ku dhe është përcaktuar me ekspert se ku ka qenë dhe është i dukshëm, nuk është me të thënme! Kjo gjë është me dokumente zyrtare. Çfarë dokumentesh ka ai zotëria?” pohoi ai. Gazetarët e pyetën se denoncuesi nuk pretendon se pronësinë, por kishte vetëm një kontratë me bashkinë. “Nuk i kam thënë unë, i ka thënë shteti! Unë kam çuar policinë atje. Kam çuar prokurorinë, kanë shkuar ekspertët dhe kanë thënë që kjo që ka bërë ai është në pasurinë time, kaq!” vijoi Satko, ndërsa gazetarët e pyetën si e bëri monumentin e natyrës “Kanionet e Osumit” pronë private?! “Vëllai im, me një monument natyre që i del pronari le ta zgjidhin, le të më japin lekët mu ata që ma kanë dhënë pronën” thotë ai, ndërsa më pas mbyll telefonin.

 

Fiks Fare shkoi në Bashkinë e Skraparit ku bisedoi me juristen e këtij institucioni Rudina Llango. Ajo pohoi se lejen për denoncuesin Andon Lushaj e kanë dhënë për t’i ardhur në ndihmë turistëve, për shkak se është vend i vizituar. E pyesim si u bë zona, uji, llumi dhe zalli pronë private, na thotë se janë bërë disa dokumente dhe se në atë vend një person pretendon pronësinë. Por, saktësoi se vendi i Lushajt ishte zallishte dhe “ishte pronë shtetërore”. “Familja Satko e ka marrë një pjesë prone me kthim prone, por aty shkruhet ‘pyll’ dhe jo zall apo rërë” thotë juristja, duke shtuar se i takon organeve të tjera të saktësojnë nëse janë bërë gabim apo jo hartat.

Pas kësaj interviste, gazetarët shkuan në Kadastrën e Skraparit. Por, askush nuk ndodhej në zyra. Komunikuam me mesazhe me kreun aktual, Florian Meno, por ai tha se nuk lejohen kontaktet me individin. Fiksi do e pyeste si doli zalli, llumi dhe uji pronë private! Kush drejtues ka firmosur certifikatat e pronësisë, cili inxhinier ka bërë hartat apo cili jurist ka bërë interpretimin e vendimit të Kthimit të Pronave? Deri më sot, asnjë përgjigje! Megjithatë, Fiksi ka siguruar kartelën e plotë të kësaj prone; nga regjistrimi fillestar dhe ndryshimet ndër vite. Në të gjitha certifikatat, prona rezulton “pyll”. Por, në terren është zall, llumë dhe ujë! Këto certifikata janë firmosur nga ish-drejtues të kësaj kadastre, të cilët rezultojnë kushërinj dhe të afërm me personat që e kanë përfituar të parët atë pronë. Në atë kohë, në vitet 2010 apo 2012, janë bërë edhe disa harta. Por, në vitin 2020 prona në fjalë është përgjysmuar, duke u emërtuar S1 dhe S2. Pjesa S1 është në pronësi të z. Dashi Satko. Por kjo pronë, megjithëse është në pjesën e sipërm, ka edhe një pjesë të veçuar që shkon deri në mes të lumit. Pikërisht, kjo pjesa e veçuar prek edhe monumentin e natyrës!

Gjithsesi, Kadastra ka mbajtur disa qëndrime të dyshimta në letërkëmbimet me organet e drejtësisë. Fillimisht, pranon se pjesa zallishte prek pronën e z. Dashi Satko. Por, më vonë i ka kthyer përgjigje se kjo pjesa tashmë është bërë shtet. Të gjitha këto veprime janë bërë në vitin 2022! Ndërkohë, Fiksi tentoi të flasë edhe me Zonat e Mbrojtura në Skrapar, por askush nuk pranoi të japë shpjegime.

Megjithatë, ligji me numër 8743, i vitit 2001, për “Pronat e paluajtshme të shtetit” përcakton se “I përkasin shtetit dhe bëjnë pjesë në pronat e paluajtshme publike a) vija bregdetare për të hyrë në tokë, ujërat territoriale dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve e rrjedhave të tjera ujore…”.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese