Hapësire reklamuese

Politikë

Kandidon për REKTORE e UT, Mimoza Hafizi bën deklaratën: Ata që sollën gjendjen e tanishme, nuk japin kurrë LLOGARI e nuk mbajnë PREMTIMET (DEKLARATA)

Shkruar nga Newsbomb
Mimoza Hafizi

Mimoza Hafizi, shkencëtarja me titullin professor, doktor e Universitetit të Fizikës mëngjesin e sotëm ka nxjerrë sloganin e fushatës së saj për zgjedhjet e 30 korrikut: NE MUNDEMI.

Hafizi propozon se nën drejtimin e saj, Universiteti i Tiranës do të hyjë në një tjetër etapë të jetës së vet, nëpërmjet planeve dhe projekteve konkrete të konkurrueshme duke u fokusuar në punën e kërkimit shkencor.

“Universiteti ynë mund të jetë vendi ku gjithësecili të ndihet krijues e kërkues, i lirë në akademizmin e vet, i pakërcënuar për vendin e punës, i pandrydhur nga diktati I pushtetit të shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme” shkruan Hafizi, raporton newsbomb.al.

Më tutje, ka një akuzë konkrete për autorët e gjendjes ku është sot universiteti. “Ata riciklojnë veten zgjedhje pas zgjedhjesh, me moton “mbreti vdiq, rroftë mbreti”, shkruan Hafizi.

Deklarata e plotë e kandidates për Rektore në UT, Mimoza Hafizi:

Falenderoj gjithkënd që me diskutimet e propozimet u bë pjesë e alternativës sime për Rektore të UT!

Institucioni ynë ndodhet në periudhën më të vështirë të historisë së vet, i shtyrë në një rrugë pa krye nga njerëz dhe grupe abuzive. Kjo situatë më thirri në këtë garë, për të qëmtuar e gjetur bashkërisht çdo argument pozitiv a optimist, në amullinë, mosbesimin e pesimizmin që na ka zënë.

Po, MUNDET që universiteti ynë të jetë ndryshe. Të na krijojë kushte më të mira pune, të shpërblejë me paga më të larta, të frymëzojë punën cilësore në auditor, programe më të dobishme studimi e diploma më të mira për studentët tanë, të mbështesë kërkimin shkencor me fonde individuale për secilin, me financime projektesh pa procedura penguese burokratike, të lehtësojë pjesëmarrjen tonë në projekte kombëtare e ndërkombëtare, t’i çelë rrugën e karrierës pedagogëve të rinj, të nxisë çdo nismë që sjell të ardhura e krijon impakt e imazh në shoqëri. Universiteti ynë mund të jetë vendi ku gjithësecili të ndihet krijues e kërkues, i lirë në akademizmin e vet, i pakërcënuar në vendin e punës, i pandrydhur nga diktati i pushtetit të shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme.

Është e PAMUNDUR që një frymë të tillë ta sjellin autorët e gjendjes ku ndodhemi sot, e as bashkëpunëtorët e tyre. Ata veçse po riciklojnë veten zgjedhje pas zgjedhjesh, me moton "mbreti vdiq, rroftë mbreti", duke ëndërruar të sundojnë brez pas brezi në një terren që nuk është i tyri, por është prona jonë e përbashkët. Ata bëjnë programe e premtime, por kurrë nuk japin llogari. Zihen e përplasen në mbledhje hermetike, por asnjëherë nuk bëjnë transparencë përballë pedagogëve, departamenteve, asambleve të fakuteteve. Çfarë vlere ka sjellë senati, ku ata sunduan e bllokuan jetën universitare? Cilat ishin strategjitë e tyre për programet, shkollat doktorale, hapësirat virtuale digjitale, revistat, tekstet, projektet shkencore, përmirësimin e të ardhurave e kushteve tona të punës? Asnjë! Paligjshmëria, sherret e bllokimet kanë qenë inovacioni më i madh që i sollën jetës sonë universitare.

Bashkë me të gjithë ata që mbajnë peshën e këtij universiteti, UNË MUNDEM!

Përmes një qeverisjeje në shërbim të çdo pedagogu e studenti, e jo të interesave meskine, një qeverisjeje të decentralizuar, me kompetenca për personelin akademik, respektuese ndaj ligjit, transparente e pranë pedagogëve, departamenteve, asambleve, larg çdo ndikimi politik, vizionare e dashamirëse për të sjellë unitet, mirëkuptim e bashkëpunim.

MUNDEM me të gjithë përkushtimin tim, energjinë, dijen, përvojën e gjatë akademike, lidhjen e ngushtë me qendrat kërkimore ndërkombëtare, ndershmërinë profesionale e shkencore, integritetin moral dhe lirinë e plotë nga çdo klan apo grup interesash të pandershme.

Së bashku Ne MUNDEMI e do t’i japim vlera dhe dinjitet universitetit tonë. Ky është dinjiteti dhe përgjegjësia e secilit prej nesh.

E gjithë shoqëria arsimdashëse shqiptare i ka sytë tek Universiteti i Tiranës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu