Një kamerier shqiptar po cilësohet si hero në Maltë pasi ndërhyrja e tij shpëtoi një grua nga mbytja me ushqimi në një restorant në Għar Lapsi. Mediat vendase raportojnë se bëhet fjalë për shqiptarin Endri Demaj, përcjell newsbomb.al.
Kamarieri me origjinë nga Shqipëria ishte duke punuar në Bar dhe Restorant Carmen kur pa Patricia Neto, një 73-vjeçare banore e Pietà, po mbytej nga një copë mishi që e kishte porositur dhe po e hante. Duke rrëfyer përvojën më pas, Patricia tha se nuk mund të merrte frymë dhe ishte e sigurt se do të vdiste.
Vajza e saj, Carole Khosla, ka falënderuar Endrin përmes një postimi në Facebook. “Ti shpëtove jetën e nënës sime dhe unë jam mirënjohëse”, tha ajo. Edhe në rrjetet sociale veprimi i Endrit u vlerësua nga shumë ndjekës.
Familjarët e të moshuarës thirrën për ndihmë dhe Endri u përgjigj shpejt, duke i dhënë manovrën Heimlich për të hequr ushqimin nga fyti i saj. Pasi ia doli, njerëzit që ishin të pranishëm në restorant filluan të duartrokasin. Reagimi i shqiptarit është vlerësuar edhe për dhënien me efikasitet të ndihmës së parë.





