Hapësire reklamuese

Politikë

“Ka rënë avioni, pilotët ikën me mallin dhe policia s’di asgjë”, debate në Komisionin e Sigurisë, Çuçi: Asnjë tolerancë, ndëshkim i ligjit deri në fund

Shkruar nga Newsbomb
“Ka rënë avioni, pilotët ikën me mallin dhe policia

Po mbahet në këto momente Komisioni Parlamentar i Sigurisë, ku po diskutohet në lidhje me dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin e ligjit për shtetasit e huaj.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj i ka drejtuar dy pyetje ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, që janë konsideruar nga drejtuesi i komisionit, Nasip Naço dhe deputeti socialist Paulin Sterkaj, si devijim nga tema e diskutimit.

Alibeaj solli në vëmendje ngjarjen e djeshme, ku një avion i vogël u rrëzua në veri të Shqipërisë, ndërsa pilotët u arratisën në drejtim të paditur. Avioni dyshohet se transportonte drogë.

Lidhur me këtë çështje, Çuçi u përgjigj shkurt duke thënë se nxit hetimet dhe ndëshkimin maksimal sipas ligjit për pilotët.

Ministri Bledi Çuçi u përgjigj edhe për kërkesat për azil të shqiptarëve në BE. Ai tha se sipas statistikave të Eurostat, aplikimet nga viti 2013 në 2021 kanë rënë ndjeshëm.

Pjesë nga diskutimt:

Enkelejd Alibeaj: Çfarë parashikoni ju për dy pilotë të avionit që vijnë me avion dhe bien në territorin shqiptar dhe vjen fuoristrada dhe i merr me gjithë mall? Dhe policia s’di asgjë…Çfarë parashikoni ju

Enkelejd Alibeaj: A ka mundësi të flas unë…Zoti ministër, ka dalë raporti i Global Initiative. Një nga pikat është që ky vend është shndërruar në punësimin kriminal të të rinjve. Kanë dy alternativa, ose ikin, ose merren me krimin, trafik, vrasje… Ka një përgjigje për këtë situatë?

Paulin Sterkaj: Unë e di që opozita ka vite që do me fol, por këta e kanë braktis vetë, tani këta po dalin nga rrjedha e diskutimit. Ju mund ta thirrni në interpelancë ministrin. Mos ta bëjmë komisionin të bezdisshëm. S’kam asgjë me ju.

Bledi Çuçi: Nëse presidentin do e kishte dekretuar ligjin, sot do të ishim në zbatim për ligjin e ri për të huajt. Kemi ligjin për nxitjen e punësimit, strategjia për rininë, për diasporën, investimet për teknologjinë. Ka një sërë nismash dhe aktesh të qeverisë për ta adresuar këtë problem. Në lidhje me pyetjen e parë, sa shqiptarë kanë kërkuar azil. E keni statistikën nga Eurostat, që të mos ballafaqojmë fakte të ndryshme. Në rast se në 2013 kanë aplikuar për azil 11 mijë shqiptarë, në 2020 kanë aplikuar 6 mijë, ndërsa në 2021 janë vetëm 2,980.

Për aksidentin për pilotët, ndëshkimin e ligjit deri në fund. Nuk ka asnjë tolerancë për këtë gjë. Në lidhje me Global Initiative, dje e kemi marrë, por unë jam i bindur që nuk thuhet në asnjë vend që të rinjtë shqiptarë kanë dy alternativa, o të jenë viktimë e krimit o të largohen nga vendi. Më thonë që ka një renditje, e 61-a në rend global, më mirë se sa Serbia, Mali i Zi, Italia apo Spanja.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu