Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Ka mbaruar historia e "të fortëve", Balla nga Shkodra: Këtu fshihen 247 persona

Shkruar nga Newsbomb
"Ka mbaruar historia e "të fortëve", Balla nga Shkodra:

“247 persona të shpallur në kërkim fshihen në Shkodër”, kështu ka deklaruar Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga Shkodra pas një vizite që ka bërë ditën e sotme.

Në një deklaratë për gazetarët ai tha se Shkodra është një nga qytetet me një sërë problematikash që lidhen me krimin, informalitetin, drogën dhe bandat kriminale.

“Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me policinë, kontrollin e territorit dhe luftën ndaj fenomeneve që lidhen me krimin dhe informalitetin.”

Më tej në fjalën e tij Balla tha se nga 300 mijë lëndë narkotike të asgjesuara, 200 mijë janë kapur vetëm në Shkodër si dhe se 247 persona të shapllur në kërkim fshihen në këtë qytet.

“Besoj që edhe ju bini dakord që një prej fenomeneve që ka mbartuar puna e Policisë së Shtetit në përballje me informalitetin dhe kriminalitetin lidhet me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Dy në tre bimë narkotike të asgjësuara gjatë viti 2023 është në Shkodër, pra nga 300 mijë lëndë narkotike 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër. Kemi 247 persona në kërkim në Shkodër. Sot jemi fokusuar te kjo listë për të shkuar një për një tek secili prej tyre, një pjesë vazhdojnë të jenë e të fshihen këtu në Shkodër.”

Por sipas Ballë kohës së moszbulimit të krimit i ka ardhur fundi, gjithashtu dhe “historia e të fortëve” në Shkodër.

“Ka mbaruar koha që Shkodra kishte histori të fortësh, nuk ka më lagje ku policia nuk mund të hyjë dhe nuk mund të ushtrojnë funksionin e tyre. Misioni ynë është marrja fund e bajraqeve, feudeve në Shkodër. Koha kur në Shkodër të fortit kishin bajraqet e tyre, feudet e tyre, ku nuk mund të hynte dot policia ka mbaruar. Kam qenë shumë i qartë në porosinë ndaj DVP për t’i dhënë fund kësaj historie, pra këtu nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet.

Kjo gjë nuk mund të tolerohet më, prandaj një prej objektivave të mia dhe Policisë së Shtetit është dhënia fund historisë së “të fortëve”, të “bajraqeve”, të “feudeve”. – theksoi Balla.

Ministri u pyet në lidhje me ngjarjet kriminale të pazbardhura në Shkodër, dhe se përse ka dështuar policia në zbardhjen e tyre, por sipas Ballës nga 6 ngjarje kriminale të rëndësishme 5 janë zbardhur.

"Në 2023 kemi patur 6 ngjarje të rënda kriminale, krime kundër personit. Janë zbuluar 5, kemi një ngjarje kriminale të pazbuluar, por për mua kjo nuk mjafton, sepse do t’i referohem të gjitha ngjarjeve kriminale nga vitit 1992 e këtej. Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm kemi një qasje për t’i shkuar në fund çdo ngjarje kriminale. Po komunikojmë me prokuroritë, SPAK apo të Juridiksionit të Përgjithshëm, për të parë statusin e dosjeve përkatëse, sepse biem të gjithë dakord që një ngjarje e vjetër kriminale e pazbuluar është burim i një ngjarje të re kriminale." 

Ministri foli dhe për vettingun të cilën e cilësoi një proces që po ecën dhe po jep rezultate.

"Ka zyrtarë që konfirmohen, ka që nuk konfirmohen. Unë nuk komentoj vendimet e këtij procesi, sepse ato janë një strukturë e pavarur. Nëse unë do të hyja e do komentoja vendimet do të bëja gabim dhe do të jepja mesazhin e keq. Procesi i vetë-pastrimit të Policisë është një proces i rëndësishëm që do të garantojë një Polici të Shtetit, tek e cila të besojnë të gjithë.”

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese