Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me publikimin e 30 emrave të cilët formosën kërkesën në Gjykatën Kushtetuese përmes së cilës kanë kërkuar pezullimin e arrestimit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Bardhit kërkesa nuk është as pro dhe as kundër arrestit, por për të interpretuar në mënyrë përfundimtare nenin 73 të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetit.
“Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese nuk është as pro as kundër asnjë arresti, por për të interpretuar në mënyrë përfundimtare nenin 73 të Kushtetuës lidhur me imunitetin e deputetit. Kuvendi ka vendosur një standart në rastin “Tahiri”, standart që aplikuar ndryshe nga prokuroria në rastin “Berisha”.
Për të qartësuar përfundimisht këtë çështje dhe për të vendosur se cili është standarti i duhur kushtetues, grupi parlamentar i ka kërkuar intepretim Gjykatës Kushtetuese për nenin 73 të Kushtetutës. Që Gjykata Kushtetuese të ketë kompetencë interpretimi, duhet domosdoshmërisht një konflikt apo çështje konkrete, ndryshe Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për interpretim e dispozitës kushtetuese.
Qëndrimi i grupit parlamentar të PD se prokuroria në rastin e masave shtrënguese ndaj një deputeti duhet të marrë autorizim nga Kuvendi, pavarësisht cili është deputeti për të cilin paraqitet kërkesa, është një qëndrim publik që nga data 23 Tetor 2023. Ky qëndrim bazohet në standartin që vetë Kuvendi ka aplikuar në të shkuarën. Sikurse po ashtu publik është qëndrimi ynë se mbështesim barazinë para ligjit të cilitdo, dhe se jemi pro që deputet duhet të ketë zero imunitet. Për këtë duhet ndryshim i Kushtetutës, e cila pa u ndryshuar duhet të respektohet”, shkruan Bardhi.
Emrat e 30 deputetëve që kanë firmosur kundër arrestimit të Berishës u bënë publike më herët nga nga Report TV.
Më datë 12 dhjetor Prokuroria e Posaçme i dërgoi Kuvendit kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës. Në shkresë thuhet se Berisha ka refuzuar disa herë të paraqitet në gjykatë që i ka dhënë masën “detyrim paraqitje” dhe ndaj kërkon një masë më të rëndë.
Më poshtë emrat e 30 deputetëve që janë kundër arrestit të Berishës
1 -Greta Bardeli
2- Kastriot Piroli
3- Lindita Metaliaj
4 -Edmond Spaho
5 -Qani Xhafa
6 -Ludovik Hasani
7 -Flamur Noka
8- Gazmend Bardhi
9- Agron Gjekmarkaj
10- Xhelal Mziu
11- Lefter Gështenja
12 -Saimir Korreshi
13 -Luan Baci
14- Elda Hoti
15 -Zheni Gjergji
16 -Dhurata Çupi
17- Helidon Bushati
18- Ramadan Likaj
19 -Edi Paloka
20 -Albana Vokshi
21- Tritan Shehu
22 -Petrit Doda
23- Sorina Koti
24 -Oerd Bylykbashi
25 -Bujar Leskaj
26- Dashnor Sula
27- Ina Zhupa
28- Kasem Mahmutaj
29- Asllan Dogjani
30 Isuf Çela
Kujtojmë që ndaj ish-kryeministrit i është dhënë masa paraprake e sigurisë “Detyrim paraqitje”, por Sali Berisha ka refuzuar të shkojë qoftë dhe një herë të vetme para togave të zeza, duke dërguar avokatët e tij ta përfaqësojnë.
Që nga dita kur u prangos dhëndri i tij dhe ndaj Berishës u vendos “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë vendit”, veprim që parashikon bllokimin e pasaportës, lideri historik i Partisë Demokratike ka ndërmarrë një fushatë sulmesh ndaj SPAK dhe gjyqtares Irena Gjoka.
Duke qenë se Sali Berisha është anëtar i Kuvendit të Shqipërisë dhe gëzon imunitetin që i njeh ligji si deputet, Komisioni për Rregulloren dhe Mandatet duhet të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, nëse kërkesa për arrestimin e ish-kryeministrit është e bazuar në prova.