Nuk do të ketë më fabrika apo ndërmarrje të mëdha që nuk kanë një mencë për punëtorët. Nëse e filloni punën në orën 08.00 apo 09.00 të mëngjesit dhe dreka ju kap në punë, orarin tuaj të pushimit, ose do të shkoni të hani në mencë, ose punëdhënësi do të duhet të paguajë me lekë për drekën tuaj.
Shuma që ka përcaktuar qeveria me vendim në bazë të “Kodit të Punës” është 300 lekë deri në 500 lekë nëse ju kap të konsumoni dy vakte. Por, edhe nëse nuk keni mundësi të ktheheni në shtëpinë tuaj, çdo punëdhënës do të duhet të marrë masa për strehimin tuaj.
Një vendim shumë “modern” për të ndihmuar punëtorët, edhe pse për çështjen e strehimit, janë me mijëra raportime për policë e mësues që janë të detyruar të presin me orë të tëra furgonë për tu kthyer në shtëpitë e tyre. “Shpërblimi në formën e pagës në natyrë mund të jepet në trajtim ushqimor, kupon dhe mall. Në raste të veçanta, kur nuk ekzistojnë mundësitë për dhënien e shpërblimit në asnjë nga këto forma, punonjësit i jepet shpërblimi në para dhe ky shpërblim, për efekte fiskale, trajtohet si paga” thuhet në vendimin e qeverisë, për rastet kur është i pamundur krijimi i një mjedisi mencë.