Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për zgjedhjet e 25 prillit, ku tha se PD ka patur një rritje në sondazhe me 15 pikë krahasuar me 2017, ndërsa për PS u shpreh se ka rënë poshtë dhe sipas tij është duke ecur me ‘karrocën e Dylit’.
Teksa u pyet për emrat e fortë në listën e PS që garojnë në Tiranë, Berisha tha se ata janë të përjashtuar nga Rama, pasi sipas tij kryeministri do të mbetet Kryetar i PS pas disfatës që e pret.
Pyetje: Ndikuat në listën e Tiranës?
Berisha: Jo nuk kam patur ndikime as në listën e 2017 as për këtë të 2021. Nuk kam marrë pjesë në hartimin e asnjë liste në PD.
Pyetje: Nëse do të ishit në krye të PD, do të garonit me këtë ekip?
Berisha: Unë e vlerësoj pozitive listën, por çdo njeri do të bënte ndryshime sipas tij. Lista e Bashës dhe e Kryesisë së PD është lista që ka patur impaktin më pozitiv. Kjo ndryshon nga çdo proces tjetër i bërë ndonjëherë.
Pyetje: Emra të fortë në PS në Tiranë, si Kodheli, Xhafaj ju trembin?
Berisha: Ata janë të përjashtuar. Bindjet e tyre janë si tuneli i Pandeliut. Unë nuk po them që nuk janë të fortë në PS, por Rama i largoi ata se do të mbetet kryetar PS pas disfatës që e pret.