Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha të premten se blloku do të sigurojë një tjetër mbështetje ushtarake në vlerë prej 500 milionë eurosh për Ukrainën.
Duke folur me gazetarët, Borrell u shpreh se mbështetja ushtarake përfshin armët e rënda si tanke dhe artileri dhe do të çonte ndihmën e bllokut në rreth 2 miliardë euro.
“Një shtysë e re për mbështetjen ushtarake. (Do të ketë) më shumë presion ndaj Rusisë me sanksione ekonomike dhe vazhdimin e izolimit ndërkombëtar të Rusisë dhe kundërinformimit”, vijoi ai.
Borrell tregoi se ishte optimist se një embargo e BE-së për naftën ruse mund të arrihet gjithashtu në ditët në vijim.
“Jam i sigurt se do të kemi një marrëveshje. Na duhet dhe do ta kemi. Duhet të heqim qafe varësinë e naftës nga Rusia. Nëse nuk ka marrëveshje në nivelin e ambasadorëve, atëherë të hënën ministrat kur të mblidhen duhet të japin shtysën politike.”