Hapësire reklamuese

Politikë

Jorgo Goro përfundon në spital, një ditë pasi gjykata e la në burg

Shkruar nga Newsbomb
Jorgo Goro përfundon në spital, një ditë pasi gjykata e la

Ish-kryebashkiaku socialisti i Himarës, Jorgo Goro është dërguar këtë të mërkurë në ambientet e Spitalit të Burgjeve. Ai ka shfaqur probleme shëndetësore, një ditë pasi Gjykata e Posaçme vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tij nga SPAK dhe e la në qeli.

Nuk dihet saktësisht se nga çfarë vuan ish-kryebashkiaku apo se çfarë problemesh ka shfaqur, por raportohet se këtë të mërkurë Jorgo Goro është dërguar në Spitalin e Burgjeve për ndihmë mjekësore.

Po sot, ai ka dhënë dorëheqjen nga posti teksa ndodhet në qelitë e paraburgimit, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Përmes një letre drejtuar Këshillit Bashkiak të Himarës dhe Prefektit të Qarkut, ai ka njoftuar dorëheqjen.

“Prandaj duke i falenderuar me shpirt të gjithë himariotët (më kanë votuar apo s’më kanë votuar, ky falenderim nuk i ndan), për të gjithë nderin e madh që më bënë në këto vite, dorëhiqem nga detyra me kokën lart dhe zemrën plot me mirënjohje të përulur. Natyrisht e doja të ishte ndryshe largimi im dhe jo me një letër nga një qeli paraburgimi, po jeta kjo është nuk i kemi dot në dorë t’i zgjedhim të këqijat që na gjejnë”, shkruhej ndër të tjera në të.

Jorgo Goro u arrestua në fundjavë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet i PS.

Ish-kryebashkiaku duke shmangur Këshillin e Qarkut, për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij toka u regjistrua në kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaçi. Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim.

Jorgo Goro po ashtu akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë që në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhackës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”. Prokuroria thotë më tej se ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ja mbivendosur atë një pasurie toke shtet.

Arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës erdhi pas kallëzimit të bërë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili po ashtu ndodhet në qeli pasi është dënuar me dy vite burg pasi akuzohet për shit-blerje votash në zgjedhjet e 2023.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese