Hapësire reklamuese

Rajoni

John Kerry në Prishtinë: Marrëveshjet me Serbinë tregojnë lidership, partitë të largohen nga dhuna

Shkruar nga Newsbomb

Sekretari i Shtetit, John Kerry në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa në ambientet e aeroportit “Adem Jashari”, ka mbështetur mazhorancën politike në vend dhe qëndrimin e saj për marrëveshjet me Serbinë.

Kerry është shprehur se marrëveshjet e arritura në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, tregojnë lidershipin e palës së kosovare. Kreu i diplomacisë amerikane ka kërkuar ndjesë për vizitën e shkurtër në Prishtinë, pasi siç u shpreh ai Kosova meriton një vizitë më të gjatë, megjithatë ai ka premtuar se do të rikthehet sërish.

“Ju kërkoj ndjesë të gjithëve për këtë vizitë të shkurtër pasi Kosova meriton një vizitë më të gjatë dhe kam premtuar se do të vij sërish kur të kem më shumë kohë. Por, për shkak të vizitës në Beograd e kam parë si të nevojshme të vij edhe në Prishtinë për të folur rreth dialogut të nisur me Serbinë. Në emër të Presidentit Obama kam shprehur mbështetjen e fuqishme për pavarësinë e Kosovës. Kemi zhvilluar një takim shumë produktiv me kryeministrin Mustafa ku i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri Thaçi.  

Në takim kemi folur për një sërë çështjesh ekonomike dhe politike. E dimë se shumica e popullësisë në Kosovë është e re dhe të rinjtë kanë nevojë për punë. Duhet të kemi pak durim, reflektim dhe angazhim për të ndërtuar së bashku të ardhmen.

Nënënshkrimi së fundmi i MSA paraqet një hap të madh në këtë drejtim, ne jemi shumë të vetëdijshëm së marrëveshjet që ka firmosur Kosova nuk janë të lehta, por unë jam këtu për të përcjellë respektin e SHBA për lidershipin e treguar në këto marrëveshje. Ne i mbështesim përpjekjtet e Kosovës në këtë drejtim”, ka thënë Kerry.

Sekretari amerikan theksoi se SHBA nuk do të mbështeste kurrë një marrëveshje që do të kërcënonte pavarësinë apo integritetin e Kosovës. Sipas tij, Uashingtoni ka investuar shumë në Kosovë dhe për këtë arsye nuk është i gatshëm të rrezikojë. “Ne nuk do të mbështesim asnjë marrëveshje që do të kërcënonte pavarësinë dhe integritetin e Kosovës. Ne kemi investuar shumë për Kosovën dhe nuk kemi ndërmend të rrezikojmë”, u shpreh ai.

Lidhur me situatën e rënduar politike në të cilën ndodhet vendi, Kerry theksoi se dhuna është e papranueshme dhe aq më pak brenda Kuvendit, duke kundërshtuar në këtë mënyrë veprimet e opozitës kosovare. Ai solli në vëmendje marrëdhëniet e SHBA-së me Vietnamin, duke thënë se tashmë këto dy vende kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike, pavarësisht se kanë qenë në luftë me njëra-tjetrën.

“Dhuna është papranueshme në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi duhet të jetë një vend ku të ketë debat dhe njerëzit të dëgjojnë njëri tjetrin pavarësisht nëse keni qëndrime të kundërta, kjo është demokracia. Ne kemi qenë në luftë me Vietnamin por e kemi lënë atë pas duke vendosur marrdhënie diplomatike. Kuvendi nuk është vend për gaz lotsjellës, të gjitha partitë duhet të largohen nga dhuna”, tha Kerry.

Kerry ka kërkuar nga politika në Kosovë të themelojë Gjykatën Speciale si dhe të luftojë korrupsionin. Ai theksoi se gjatë vizitës që do të zhvillojë sot në Beograd ku do të marrë pjesë në konferencën e OSBE, do të kërkojë që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu