Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry do të zhvillojë më 14 shkurt një vizitë zyrtare në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, që konfirmon vizitën në Tiranë të numrit një të diplomacisë amerikane.
Kerry fillimisht do të mbërrijë në Munih të Gjermanisë më 10 shkurt për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë dhe 4 ditë më pas do të niset drejt Tiranës. Në Shqipëri, zyrtari i lartë amerikan do të takohet me krerët e institucione kryesore për të diskutuar për procesin e integrimit euro-atlantik të vendit dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Tirana do të jetë kryeqyteti i vetëm që Kerry do të vizitojë në Ballkan gjatë kësaj periudhe, kjo edhe për arsye se pak muaj më parë ai zhvilloi një mini-tur në disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.