“Në rast të një sulmi bërthamor të Rusisë ndaj Ukrainës, do të vuajnë edhe vendet e rajonit të Detit të Zi dhe jo vetëm”.
Kështu deklaroi përfaqësuesi i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Vadim Skibitsky në një intervistë për ITV News.
Sipas tij, përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia në luftën kundër Ukrainës është i mundur. Ai tha se Kremlini kështu mund të përpiqet të ndalojë avancimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe të shkatërrojë shtetin ukrainas.
“Ky është një kërcënim për vendet e tjera. Shpërthimi i armëve bërthamore do të prekë jo vetëm Ukrainën, por edhe rajonin e Detit të Zi. Ne kujtojmë historinë e Çernobilit. Ka mundësi që të kemi një tjetër katastrofë në territorin tonë, në Evropën Lindore”, tha ai.
Skibitsky detajoi gjithashtu se pasojat e përdorimit të armëve bërthamore mund të prekin veçanërisht Poloninë, Turqinë dhe Bullgarinë.