Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar ligjin për hapjen e dosjeve, duke u shprehur se ky është një plan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të çmontuar establishmentin politik në vend.
Ai u shpreh në një intervistë në “Euronews Albania”, se nuk kishte asnjë shans, që ligji të kalonte me 94 vota në Kuvend, po të mos ishte për SHBA-të.
Sipas tij, ligji është bërë edhe për politikanë të tjerë jo vetëm për ish-presidentin Ilir Meta, pasi ai nuk ka fuqi dhe pushtet.
“Unë kam bindjen që ky ligj nuk është bërë vetëm për një person. Për ata të cilët mendojnë ndryshe, do t’i thoja që, nëse do ta kishin nevojë për ta përdorur vetëm për Ilir Metën, do ta përdornin kur ai ishte i fuqishëm. Në momentin që ai nuk ka as karrige, as kolltuk, as pushtet, mendoj që ai është një njeri i djegur politikisht, mendoj që do të shoqërohet, do jetë një goditje më e rëndë politike.Nuk është një ide thjesht e socialistëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një plan, B,C për çmontimin e establishmentit politik. Nëse dikush mendon se nuk i funksionoi me listën e zezë të shpalljes ‘non grata’, apo me disa izolime të tjera diplomatike, duhet të dini që SHBA-të në këtë luftë të ftohtë, politike dhe diplomatike, kanë disa plane të tjera. Absolutisht, nuk ka pasur shans që dje të bëheshin 94 vota”, tha Spahiu.