Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Marina Duhani ka dhënë dorëheqje nga ky post. Duhani ka bërë me dije se ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë për shkak të disa angazhimeve profesionale, personale.
Ajo ndër të tjera falenderon çdo anëtar të këshillit për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë gjatë kohës që ka qenë në detyrë.
Sakaq, bëhet me dije se tashmë kreu i Këshillit të Qarkut të Shkodrës do të jetë Edmond Ndou nga PS, ndërsa Duhani që ishte në krye të këshillit mori detyrën në korrik të 2023 nën logon e PSD.
E plotë:
Të nderuar Anëtarë të Keshillit të Qarkut Shkodër,
Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar duke shërbyer si Kryetare e Këshillit te Qarkut Shkoder.
Gjatë kësaj kohe, kam punuar me përkushtim të palëkundur për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje, duke u përpjekur të ofroj shërbime cilësore për banorët e qarkut tonë.
Sidoqoftë, për shkak të angazhimeve të reja profesionale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje duhet të njoftoj se nuk jam më në gjendje të vazhdoj në rolin tim si Kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër.
Kështu, me këtë letër, sot paraqes zyrtarisht dorëheqjen time nga kjo detyrë.
Dua të shpreh falenderimet e mia më të thella për çdo anëtar të këshillit për bashkëpunimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kësaj periudhe.
Besoj se bashkëpunimi ynë ka qenë frytdhënës dhe ka kontribuar në përparimin e qarkut tonë.
Ju lutem pranoni mirënjohjen time më të sinqertë për çdo gië që kemi arritur së bashku.
© Credits shkodraweb.com