Hapësire reklamuese

Politikë

“Jep dorëheqjen, hapi rrugë drejtësisë amerikane”, Bardhi i drejtohet Ramës: Herët a vonë do i vuash pasojat, bëhu gati!

Shkruar nga Newsbomb
“Jep dorëheqjen, hapi rrugë drejtësisë

Deputeti i Partisë Demokrtaike, Gazment Bardhi ka bërë një reagim të gjatë në lidhje me çështjen McGonigal-Rama, pas përfundimt të seancës parlamentare.

Bardhi thotë se Rama duhet të japë dorëheqje dhe të vendoset në dispozicion të drejtësisë amerikane dhe shqiptare.

Ndër të tjera ai shkruan se Rama ka kryer veprën më të rëndë ndodnjëherë dhe se për këtë do të dënohet.

E plotë nga Gazment Bardhi:

Edi Rama u fsheh edhe sot. Ai po sillet, fiks ashtu siç është, një i pandehur, që ka vendosur të hesht nga frika se gjithëçka do të thotë mund ti përdoret kundër në gjykatë. Si i pandehur është në të drejtën e tij. Por, si Kryeministër është në shkelje të Kushtetutës.

Edi Rama nuk mund të fshihet përjetësisht!

Edi Rama, ke vetëm një rrugë për të zgjidhur hallin tënd: jep dorëheqjen! Hapi rrugë drejtësisë për hetimin tënd! Bashkëpuno me drejtësinë dhe kërko mëshirë prej saj, edhe pse nuk e meriton. Nuk e meriton, sepse, si Kryeministër i Shqipërisë, ke kaluar çdo vijë të kuqe! Je përfshirë në aferën më të rëndë në këto 32 vite.

Më e renda sepse ka brenda pasoja të shumëfishta. Ka brenda korrupsionin, ka brenda paratë e pista, ka brenda intrigën, ka brenda trafikun e influencave, ka brenda abuzimin me pushtetin për të goditur kundërshtarin me mjete jo demokratike, ka brenda cënimin e sigurisë kombëtare, ka brenda cenimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, SHBA, ka brenda turpërimin e Shqipërisë në arenën ndërkomnbëtare, ka brenda tentativën tënde për të diskretituar kredibilitetin e institucioneve të SHBA në Shqipëri, duke dëmtuar rëndë imazhin e mikut tonë të madh strategjik dhe aleatit në NATO, SHBA-së. Shkurt, është një pisllëk kriminal, që vetëm Edi Rama mund të kryejë.

Vetëm në kushtet e një pisllëku kriminal mund të ndodhë që Kryeministri i një vendi, nëpër restorante, në dreka e darka, në parkingjet e restoranteve, të organizojë, të nxisë, të ushtrojë ndikim të paligjshëm përmes trafikut të influencave financiare e politike, goditjen e partisë kundërshtare dhe lidershipit të saj. Për çfarë e bën këtë? Që ta përdorë hetimin e organizuar nga miku i tij i korruptuar si të vetmin argument kundër opozitës në vendin e tij. Ta përdorë rastin për politikë dite, duke harruar se dëmton vendin, bën pis Shqipërinë dhe tani, mësojmë se ka bërë pis dhe ka turpëruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edi Rama e di më mirë se kushdo se kur organizon një krim, herët a vonë do të vuash edhe pasojat. Të siguroj se pasojat do t’i kesh të shumëfishta. Bëhu gati, sepse këtë nuk e kalon me qeshje dhe nënqeshje, e aq më pak duke u fshehur. Nuk e kalon me të pavërteta e justifikime të trasha këtë që ke bërë. Ke kryer aktin më të rëndë që nuk ka guxuar askush tjetër në botë ta kryejë. Ke korruptuar një zyrtar të lartë amerikan dhe je korruptuar prej tij. Ke shndërruar zyrën e Kryeministrit dhe pushtetin që buron prej tij, si paradhomë të interesave ruse, të interesave kriminale dhe korruptive. Ke përdorur zyrën e Kryeministrit për të godituar me mjete jodemokratike opozitën. Ke kryer krim të rëndë dhe për këtë pasoja është burgu.

Sot si shqiptar ke vetëm një detyrim: krimin që ke kryer, turpin që ke kryer, mbaje vetëm për vete. Mos ia ngarko edhe këtë në shpinë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Boll kanë vuajtur shqiptarët dhe Shqipëria nga lidhjet e tua kriminale. Dorëhiqu dhe vendosu në dispozicion të drejtësisë amerikane dhe shqiptare. Boll u kape me thonj pas karriges së Kryeministrit. Boll u fshehe pas pushtetit politik në Shqipëri dhe imunitetit diplomatik në SHBA. Ato nuk vlejnë përjetësisht dhe nuk mund të fshihesh përjetësisht pas tyre. Është koha të japësh dorëheqjen! Shqipëria nuk ka pse të vuajë pamjet e sikletshme të një kryeministri që del nga zyra me pranga në duar!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese