Ministrja e re suedeze e shkollave fillore dhe të mesme, Lina Axelsson Kihlblom, të martën u bë personi i parë transgjinor që u bë ministër në vendin nordik.
Ish-drejtoresha dhe avokatja 51-vjeçare u emërua në qeverinë e re socialdemokrate të kryeministres së re Magdalena Andersson.
Në një libër të botuar në vitin 2015 (“A do të më duash tani?”), Lina Axelsson Kihlblom, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve të birësuar, rrëfente se është rritur si vajzë në trupin e një djali dhe se i është nënshtruar një operacioni për ndryshimin e seksit.
“Njerëzit trans kanë ekzistuar gjithmonë, do të ekzistojnë gjithmonë dhe ne nuk kemi më turp. Jemi normalja e re”, ka shkruar ajo në vitin 2018 në një rubrikë të publikuar nga televizioni publik SVT.
Portofoli i saj përfshin shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa Ministrja e Arsimit Anna Ekström është përgjegjëse për arsimin e lartë.