Tre zyrtarët e LSDM-së që përfliten si kandidat të mundshëm për president, Shekerinska, Dimitrov dhe Spasovski, nuk kanë mohuar ende nëse janë në garën e ngushtë për kreun e shtetit. Ata kanë folur për rëndësinë e reformave që duhet të zhvillohen por gjithashtu kanë theksuar rëndësinë që presidenti të ketë të gjitha tiparet e nevojshme për drejtimin e shtetit. Nga BDI-ja kanë thënë se mbeten në qëndrimin për president konsensual.
‘Ky është një proces i rëndësishëm, i cili kërkon konsultime dhe vendime në kuadër të partisë, konsultime me partnerët e koalicionit dhe konsultime me qytetarët. Unë menjëherë pyeta pse Bujar Osmani zv.kryeministri aktual të mos jetë, por ka problem me moshën, pasi është shumë i ri. Duhet patjetër t’i respektojmë proceset dhe rregullat. Është shumë me rëndësi të përmendet emri, është nder për mua. Duke pasur parasysh kandidatët është privilegj të jesh në mesin e këtyre emrave’-tha Nikolla Dimitrov, ministri i Jashtëm i Maqedonisë Veriore për mediat.
Ndërkohë që për mediat u prononcua edhe Radmilla Shekerinska, ministrja e Mbrojtjes.
‘Nuk besoj në vet-kandidim. Ashtu sikurse nuk besoj se Presidenti duhet zgjedhur si produkti më i mirë. Sot jemi këtu për të folur çfarë kemi bërë deri më tani dhe çfarë do të bëjmë tani e tutje si Qeveri. Fokusi jonë mbetet zgjidhja e problemeve në Maqedoni. Kush do të jetë dhe çfarë funksioni do të ketë është çështje me pak rëndësi’-pohoi Radmilla Shekerinska, ministrja e Mbrojtjes.
'Ambiciet dhe ndjenjat personale të cilitdo për pozita shtetërore nuk janë më të rëndësishme se sa e ardhmja e vendit dhe e ardhmja e gjeneratave që do të vijnë. Ka hapësirë ku do t’i diskutojmë të gjitha aspektet, mes partive, me qytetarët dhe jam i sigurt se Maqedonia do të ketë një president ashtu siç e meriton, të fortë dhe vizionar i cili do të dijë të shohë të ardhmen e vendit'- theksoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Nga ana tjetër zv.kryeministri për Çështje Evropiane Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani tha:
‘Këmbëngulim në këtë proces. Nëse nuk kemi sukses do të këmbëngulim në zgjedhje të tjera. Maqedonia duhet të ketë president konsensual, i cili do ta përfaqësojë më së paku vullnetin e dy etnive në vend por pse jo edhe të etnive të tjera’-tha Bujar Osmani.