Ish-deputeti Mark Frroku u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për tre vepra, atë të fshehjes së pasurisë, pastrim parash dhe ndërtim të paligjshëm. Pas kësaj Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon gjykatës të kalojë në favor të shtetit pasuritë e ish-deputetit Frroku.
Prokurori shpjegon se ka dyshime se për 15 vjet, ish-deputeti dhe familjarët e tij kanë grumbulluar pasuri të pajustifikuara për burimin e të cilave nuk kanë bashkangjitur argumenta bindëse. Bëhet fjalë për harkun kohor nga 1998 deri në 2013, për të cilën Frroku nuk ka justifikuar të ardhurat e aseteve pasurore të gati 1.7 milionë eurove, thotë prokurori i çështjes, Klodian Braho.
Pasuritë të cilat më herët janë vendosur nën sekuestro, janë një sërë apartamentesh në Tiranë, Orikum dhe Shëngjin, vlera e të cilave është vlerësuar nga ekspertët rreth 500 mijë euro. Gjithashtu, në listën e pasurive janë edhe garazhe në Tiranë si dhe sipërfaqe toke në Lezhë.