Tirana
clear sky
31.5 ° C
31.5 °
31.5 °
48 %
2.6kmh
0 %
Enj
34 °
Pre
35 °
Sht
37 °
Die
37 °
Hën
37 °
E enjte, 30 Qershor, 2022
spot_img

Ja sa e thjeshtë të krijosh dhe të mbash një parti politike në Shqipëri

spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Në Shqipëri janë të regjistruara 127 parti politike, më shumë se gjysma janë fiktive. Ligji parashikon vetëm regjistrimin në gjykatë, por jo çregjistrimin.

albsig

spring

Krijimi dhe mbajtja e një partie politike është shumë e thjeshtë në Shqipëri. Mjaftosh të mbledhësh mijëra firma, të krijosh një status, emrin e kryetarit dhe dokumentet depozitohen në gjykatë. Në ligjin “për partitë politike” parashikohet vetëm krijimi i partisë, por nuk parashikohet çregjistrimi i tyre. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar datën 18 qershor 2017 si ditën e zgjedhjeve parlamentare. Kur na ndajnë edhe pak javë nga këto zgjedhje, partitë politike kanë filluar përgatitjet, dikush për llogaritë e votave dhe të tjerët për t’i penguar. Po sa parti politike janë të regjistruara në Shqipëri? Si futen në koalicione? A janë efektive, apo kujtohen vetëm kur ka zgjedhje?

Gjykata: Në Shqipëri, 127 parti

“Fiks Fare” i dërgoi Gjykatës së Tiranës një kërkesë për listën e partive politike të regjistruara, emrat e kryetarëve dhe selitë. Gjykata na ktheu përgjigje se në Shqipëri janë të regjistruara 127 parti politike dhe, duke bërë një llogari të thjeshtë, çdo 24 mijë banorë kanë 1 parti politike.

Sipas listës, 42 parti kanë të regjistruar si adresë vetëm emrin e qytetit. Ndërkohë, partitë e tjera kanë një adresë selie, por shumica e tyre nuk gjenden. Në zgjedhjet e fundit lokale, të vitit 2015, morën pjesë 61 parti politike. Kushti për partitë e vogla për të marrë pjesë në zgjedhje është dorëzimi në KQZ i një liste me 5 mijë firma. Por, partitë e vogla që u bënë pjesë e koalicioneve, përjashtohen nga ky kusht.

Partitë e majta dhe të djathta

A janë fiktive këto parti politike? Fiks Fare vëzhgoi fizikisht disa nga selitë e këtyre partive, që kanë qenë në koalicion me mazhorancën dhe opozitën, të përzgjedhura rastësisht. Gazetarët e Fiksit vëzhguan disa parti të majta dhe të djathta. Partia e Reformave Demokratike është në afërsi të “21 Dhjetorit”. Sipas rojës së objektit, kryetari i kësaj partie ka 6 muaj që nuk ka shkuar në zyrë. Ndërkohë, zyrat e partisë Demokracia Sociale ishin funksionale. Në Partinë e të Drejtave të Mohuara kryetari e kishte braktisur zyrën. Ndërkohë, edhe Fryma e Re Demokratike kishte një lapsus në adresë, pasi në dokumentet e gjykatës selia ishte në rrugën Xhorxh Ë Bush, dhe jo ish-selia e PD-së. Në zonën pranë Azilit të Pleqve në Tiranë është regjistruar partia E Aleancës së Maqedonasve për Integrim Europian. Gazetarët shkuan në pallatin e vetëm shumëkatësh në atë zonë, ku ishte shënuar adresa, por nuk gjetën asnjë gjurmë të saj. Nga ana tjetër, në rrugën Qemal Stafa ishte regjistruar Partia Shqiptare Atdheu. Ekipi i Fiksit verifikoi selinë, por në apartamentin ku shënohej adresa e partisë jetonte një çift të rinjsh. Në rrugën e Dibrës, pranë farmacisë nr.10, është regjistruar Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve. Banorët e të vetmit pallat shumëkatësh në atë zonë thanë se nuk ka asnjë seli partie. Këto ishin partitë e regjistruar në koalicionin e majtë.

Ndërkohë, të njëjta problematika kanë edhe partitë e koalicionit të djathtë. Partia Lëvizja e Legalitetit ka zyra, por nuk kishte asnjë person në to. Në rrugën Mine Peza, në vilën nr.4 janë regjistruar dy parti politike; Bashkimi Demokrat Shqiptar dhe Rruga e Vërtetë Shqiptare. E para, kishte një zyrë në godinë dhe e dyta nuk ekzistonte. Gazetarët shkuan në rrugën Irfan Tomini, në adresën ku është regjistruar Partia Ora e Shqipërisë. Banorët thanë se në këtë zonë nuk ka një pallat me numër 130. Ndërkohë, në Institutin e të Përndjekurve Politikë janë regjistruar dy parti, Aleanca Popullore për Drejtësi dhe Partia e të Drejtave të Mohuara e Re. E para është në koalicion me të majtën dhe e dyta me të djathtën, pavarësisht se fokusin e kanë te ish të përndjekurit. Në afërsi të “21 Dhjetorit” është regjistruar edhe partia Ballo Kombëtar. Sipas punonjësve në godinë, këto zyra ishin braktisur.

Kryetarët: Përse i mbajmë partitë

Fiksi pyeti disa kryetarë, përse i mbajnë këto parti të vogla.

Kadri Isufaj, kryetar i Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë thotë se në profesion është avokat dhe një pjesë e të ardhurave si avokat i kalon në fondin e partisë. Ai thotë se nuk kemi struktura dhe se punëtorët i mbrojnë në varësi të votave që marrin. Ai thotë se ka bërë një marrëveshje me PS-në, por ajo ka qenë verbale Isufaj thotë se disa deputetë me të kaluar kriminale kanë tentuar që ti blejnë partinë, por ai nuk ka pranuar. Ndërkohë, Afrim Jeshili, kryetar i Partisë Personat me Aftësi të Kufizuar, thotë se partinë e mban nëpërmjet rrjeteve sociale, e ndihmon ndonjë mik me ndonjë të ardhur. “E mbaj partinë për të ndërgjegjësuar klasën politika që të na mbrojë. Edhe unë që nuk e kam një krah mezi e mora kempin” thotë ai.

Rivelino Çuno, kryetar i Partisë për Evropianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë thotë se bënë koalicion me PS-në se për 100 vota do merrnin një të punësuar. Ai thotë se PS-ja nuk e mbajti fjalën dhe bëri një akt demonstrativ, duke dalë nga kryeministria për të shkuar në çadrën e lirisë. Gazetarët e Fiksit pyetën edhe Fatmir Hoxha, kryetar i Partisë të së Drejtave të Mohuara. Ai tha se i shërben klasës së ish të përndjekurve politikë dhe ka marrë pjesë në zgjedhje me fondet personale, pa ndihmën e shtetit. Hoxha tha se nuk do merrte pjesë në zgjedhje, pasi Shqipëria është e mbuluar nga hashashi dhe se kriminelët e diktaturës zgjidhen ministra të brendshëm.

Auditimi i partive politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kontrolloi partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet e fundit lokale, të 21 qershorit të vitit 2015. Audituesit e KQZ-së gjetën 68 parti politike, nga 127 të regjistruara në gjykatë. Ata verifikuan emrin e subjektit, kryetarin, përgjegjësin për komunikimin dhe financierin. Krahas tyre, KQZ-ja bëri edhe një auditim financiar të partive që morën pjesë në zgjedhje.

Fiks Fare ka siguruar disa prej këtyre auditimeve. Eksperti financiar shkruan se nuk auditoi dot Partinë Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane, në koalicion me mazhorancën, sepse kjo parti nuk kishte kryer asnjë aktivitet dhe nuk kishte përfituar dhe shpenzuar fonde. Ndërkohë, Partia e Personave me Aftësi të Kufizuar, shkruan se të ardhurat dhe detyrimet janë ZERO. Fushata është kryer nëpërmjet rrjeteve sociale dhe komunikimeve telefonike. Po ashtu, të njëjtin deklaratë ka bërë edhe partia Komuniste e Shqipërisë 8 Nëntori. Në dokument shkrihet se të ardhurat dhe detyrimet janë ZERO. Të njëjta deklarata kanë bërë edhe partitë që kanë qenë në koalicion me opozitën. Audituesi shkruan se “Lidhja Demokristiane Shqiptare” deklaron se nuk ka përfituar asnjë fond publik dhe jopublik dhe nuk ka bërë shpenzime. I njëjti argumentim shkruhet edhe në dokumentin e audituesve për Partinë Konservatore. Shumica e partive të vogla, në të dyja koalicionet e mëdha, kanë deklaruar se nuk kanë pasur aktivitete financiare.

S’kemi ligj për çregjistrimin e partive

Arsyeja kryesore e mbajtjes në këmbë të partive të vogla politike është punësimi. Kryetarët bëjnë marrëveshje se, me 100, 200, apo më shumë vota, punësojnë njerëzit e tyre të afërt. Ndërkohë, mangësitë e ligjit kanë sjellë që partitë e mëdha nuk deklarojnë shifrat e sakta të shpenzimeve, duke hedhur dyshime të forta për pastrim parash.

Gazetarët e Fiksit pyetën edhe Afrim Krasniqin, politolog. Ai tha se ka bërë një studim për partitë, ku shumica e tyre nuk gjenden. Sipas tij, ka kryetarë partish që janë larguar në emigracion, apo kanë vdekur, dhe figurojnë ende si kryetarë. Më tej shton se Shqipëria nuk ka një ligj për çregjistrimin e partive. Ai thotë se ka mangësi ligjore për çregjistrimin e këtyre partive. Sipas Krasniqit edhe audituesit që kontrollojnë shpenzimet e partive të mëdha parlamentare paguhen nga vetë partitë dhe ky është konflikt interesi. “Nuk ka kush i heton këto parti politike” vijon më tej Krasniqi, ndërsa në fund thotë se partitë politike janë burimi më i madh i pastrimit të parave në Shqipëri.

Gazetarët pyetën edhe ish-kryetaren e KQZ-së, Lefteria Luzin. Ajo tha se Komisioni e ka shumë të vështirë gjetjen e partive politike, pasi ka pasur adresa fiktive. “Kemi kërkuar ndryshimin e ligjit për çregjistrimin, pasi ka edhe kryetarë që kanë ndërruar jetë” thotë ajo, ndërsa mbështet zotin Krasniqi, duke pohuar se KQZ nuk heton dot për fondet e partive politike, pasi audituesit marrin të mirëqena ato që deklarojnë partitë politike.

spot_imgspot_img

Më shumë

spot_img
spot_img
spot_imgspot_img
spot_img
spot_img