Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Ja kush fiton në 25 Prill!

Shkruar nga Newsbomb
Ja kush fiton në 25 Prill!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për Newsbomb.al

Durimi për të mësuar se kush do të fitojë në 25 Prill, po na soset, pavarësisht se tashmë dihet se kush do të dalë i fituar pas këtyre zgjedhjeve!

Për të na e lehtësuar disi mundimin e të panjohurës, na “ndihmojnë” sondazhet në televizione që funksionojnë sipas parimit: shtëpia e nuses lavdëron nusen, shtëpia e djalit lavdëron djalin. Tashmë e di edhe budallai i fshatit më të humbur se sondazhet janë të trukuara, të porositura dhe të blera nga partitë nëprmjet partnerëve të tyre mediatikë!

Po pse bëhen sondazhet?

A nuk presim dot edhe një javë për të mësuar fituesin?

Sondazhet bëhen për të influencuar votën.

Nëse e keni vënë re, sondazhet në shumicën e tyre nxjerrin fituese partinë në pushtet, sepse e dimë të gjithë që pushteti ka pranë vetes shumicën e mediave. Në këtë mënyrë, atij të pavendosurit, atij të lëkundurit, atij të frikësuarit i thuhet: mos bëj gabim të votosh kundër nesh, se ne jemi fituesit! Kjo merr akoma më shumë kuptim pas shpërthimit (me dashje) të gropës septike me patronazhistët. Ky aksion antiligjor dhe amoral, kontrolli i detajuar i privatësisë së qytetarëve, fryma në qafën tënde e një të panjohuri që e do me çdo kusht votën tënde, i bën qytetarët të mendojnë se preferenca e tyre në votim, do të mësohet nga partia në pushtet, dhe, në rast të një mandati të tretë, pasojat për ata që do të votojnë kundër, do të jenë të rënda.

Në sistemin monist, votimet nuk kanë qenë aspak të lira e të ndershme. Në atë sistem, pushteti përdorte forcërisht të gjitha mënyrat për të siguruar shumicën absolute të mbështetjes popullore me votë, duke sjellë si rezultat ashpërsimin e luftës së klasave.

Shqiptarët u ngritën dhe e përmbysën atë sistem, me qëllim që të kishin mundësi të zgjidhnin, të ishin të lirë për të votuar!

A jemi të lirë për të votuar? A kemi realisht të zgjedhim ata që mendojnë se shërbejnë më mirë?

Teorikisht po!

Praktikisht jemi të manipuluar, të kontrolluar dhe votëvjedhur!

Media e vënë në shërbim të pushtetit, i pengon qytetarët të arrijnë në një përfytyrim të saktë të gjendjes aktuakle në vend. Patronazhistët dhe militantët i trembin qytetarët, të cilët jo rrallë preferojnë të mos dalin fare në votim. Partitë blejnë e trafikojnë vota dhe më e keqja, ndikohet në numërimin e tyre, duke deformuar rezultatin e vërtetë, vullnetin e zgjedhësve!

Këto na qenkan zgjedhjet e lira?!

Për këtë u ngritëm para tre dekadash?!

Ky qenka pluralizmi?!

Kjo qenka demokracia?!

I vetmi ndryshim me monizmin, është se ai merrte 99.5% të votave, duke shtypur 0.5% që votonin kundër dhe duke trembur për vdekje edhe ata që votnin pro. Sot, në pluralizëm, mjafton 50% + 1, që pushteti të shtypë 50% - 1 dhe të trembë për vdekje ata që e votuan!

Mentaliteti është i njejtë, tjesht kanë ndryshuar shifrat e ekuacionit. Edhe mënyrat për të “zgjidhur” këtë ekuacion, po njejtësohen. Atëherë kishim sigurimin e shtetit dhe propagandën e RTSH, sot kemi patronazhistët dhe mediat kliente të qeverisë!

Besoj se tani e keni të qartë se kush do të fitojë më 25 Prill.

Nëse ky rezultat nuk ju pëlqen, bëhuni “burra” dhe votoni kundër!

Sondazh

Poll