Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

JA ÇFARË PO U BËN FËMIJËVE KORONAVIRUSI!

Shkruar nga Newsbomb
JA ÇFARË PO U BËN FËMIJËVE KORONAVIRUSI!

Ng Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al

Koronavirusi sot ka fytyrën e ministres së arsimit!

Dikur ka pasur fytyrën e kryeministrit, por ai e kuptoi në kohë dhe shpëtoi!

Kur e keni parë dhe dëgjuar për herë të fundit kryeministrin të dalë e të flasë për koronavirusin? Nuk e kujtoni dot. A ju kujtohet sa shpesh dilte e fliste ato ditët dhe javët e para? Përse nuk del më? Ua them unë.

Përveç atij si ky që kujtojnë se janë të mençur, në Botë ka edhe njerëz vërtetë të mençur. Dikush prej tyre, në një mënyrë apo në një tjetër, duhet ta ketë këshilluar kryeministrin tonë të mos dalë më në televizor e t’u përmendë njerëzve koronavirusin, sepse vetvetiu njerëzit priren të mendojnë se Ai dhe virusi kanë një lidhje! Për sa kohë virusi është imagjinar, nuk shihet me sy të lirë, truri i njeriut ka tendencën t’i japë atij trajtat fizike të personit që flet më shumë për to!

Në një segment kohor diku nga fundi i Prillit fillimi i Majit, njerëzit filluan ta imagjonojnë koronavirusin me fytyrën e Edi Ramës. Këtë filluan ta shprehin dendur edhe në komente nëpër rrjetet sociale! Me siguri, dikush që e besonte këtë teori, e këshilloi kryeministrin të heqë dorë nga pasioni i tij më i madh dhe të mos dalë më të flasë për koronavirusin, por t’ia lërë ndonjë fytyre tjetër rrezikun për tu bërë “imazhi i koronavirusit”. Paskëtaj, ju e keni parë dhe ndjerë! Në imagjinatën popullore, koronavirusi mori trajtat faciale të Piperos, Binos, Rakacollit apo të dikujt tjetër me përgjegjësi politike shumë më të vogël se i pari i vendit!

Sot koronavirusi ka marrë një fytyrë të re!

Jo vetëm një fytyrë, por edhe një trup e një mendje!

Duhet të kesh tru sa ç’ka koronavirusi që të mendosh se njerëzit janë të gjithë dele!

Duhet të kesh tru sa ç’ka koronavirusi që të mendosh se prindërit do të binden e do të zbatojnë masat idioteske për parandalimin e përhapjes së infeksionit në institucione arsimore!

Duhet të kesh shpirt dhe ndjenja sa ç’ka koronavirusi, që të përdorësh fëmijët për të bërë politikë! Masat që ministria u kërkon fëmijëve të zbatojnë në shkolla, nuk janë të mbështetura në asnjë studim të besueshëm shkencor, ato janë fryt i dritëshkurtësisë të gjysëm të diturve që kanë zaptuar institucionet, ose në rastin më të mirë një përshtatje e keqe e masave që janë marrë në ndonjë vend perëndimor, pa marrë parasysh mundësinë (gati zero) të zbatimit të këtyre masave në një vend si ky yni!

Qershia mbi tortë ishte formulari i vetëdeklarimit të shëndetit! Të gjithë juristët, madje edhe ata të plepave dhe të universiteteve private “njëdhomëeguzhinë”, kanë zënë kokën me duar! Një “kakë” të tillë nuk e bën dot as koronavirusi!

Sigurisht që manaxhimi i një situate si kjo që ka krijuar pandemia është tepër i vështirë, për këtë nuk ka askush asnjë dyshim, por do të ishte më e ndershmë të thonit “nuk e bëjmë dot” dhe të hapnit krahun! Meqë doni ta mbani me çdo kusht pushtetin, të paktën dëgjoni ekspertë të pavarur dhe jo ekspertë servila! Në këtë rast, të paktën nuk do të bënit gafa monstruoze si kjo e formularit!

Të dashur fëmijë! Sot ju filloni shkollën, por askush nuk e di se si do të vazhdojë ky vit shkollor! Fajin për këtë ia hedhin koronavirusit, por ju duhet të dini që fajin më të madh e kemi ne, të rriturit e papjekur! Sidoqoftë, vit të mbarë dhe suksese në mësime!

Sondazh

Poll