Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka mohuar që të ketë dhënë një intervistë për agjencinë shqiptare “Presheve Jonë”, ku të ketë kërkuar shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një reagim për mediat serbe, Daçiç është shprehur i shokuar pasi e ka lexuar atë intervistë, sipas tij të rreme, ndërsa ka theksuar se ai ka folur gjithnjë për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ndaj e konsideron të pavend shpikjen e deklaratave të tilla.
Ai tha se ky manipulim bëhet pak përpara se delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit të takohen në Bruksel dhe sipas tij, qëllimi është që të tensionohet edhe më tej situata.
Por, “Presheva Jonë”, ka reaguar pas deklaratës së Daçiç duke sqaruar se intervista së cilës i referohen mediat serbe dhe ministri i Jashtëm nuk është aktuale, por e kohëve më parë. Kjo agjenci shprehet se Daçiç ka dhënë gjatë viteve tre intervista për “Presheva Jonë”, dhe ka qenë intervista e tretë që është rikthyer në vëmendjen e publikut, për shkak se ditët e fundit është folur shumë për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, çështje për të cilën Daçiç është përgjigjur në intervistë.