
Andon Kumria është 23-vjeçari shqiptar që humbi jetën të enjten e 21 dhjetorit në spitalin “Papa Giovani”, ku u shtrua pas një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur rreth 15 ditë më parë.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, i riu humbi betejën me vdekjen. Vdekja e parakohshme e Andonit ka tronditur familjarët e tij, prindërit, vëllanë dhe tre motrat.
Familja e Andonit përcolli sot për në banesën e fundit 23-vjeçarin që humbi jetën në lule të rinisë, shkruajnë mediat italiane.
Ceremonia mortore u zhvillua në Bergamo aty ku Andoni jetonte dhe punonte prej vitesh si një kuzhinier profesionist dhe shef në disa restorante.
“Ai ishte krahu im i djathtë, kuzhinieri më i mirë që kam pasur ndonjëherë në njëzet vjet biznes,” thotë Giovanni D’Auria, shefi i kuzhinës dhe pronari i restorantit ‘da Giò’ në Seriate, ku punonte shqiptari.
“Andoni ishte një djalë shumë i mirë, plot jetë, i përkushtuar ndaj punës. Në këto dy vite nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë “jo”. Ai ishte shumë i apasionuar pas gatimit, aq sa e kishte studiuar dhe madje kishte shkruar një libër. Ai ishte aq i mirë sa i shita një pjesë të aksioneve në një nga kompanitë e mia. Ai kishte një ëndërr, të shkonte në Amerikw. Ne donim të bënim një udhëtim dhe të shkonim së bashku”, ka thënë shefi i kuzhinës ku punonte 23-vjeçari fatkeq.