Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën “ arrest shtëpie” për Petraq Semanin, avokati i cili u mori shumën prej 25 mijë euro familjarëve të klientit të tij në mënyrë që të ndikonte te gjyqtarët për lehtësimin e dënimit.
Nisur nga hetimet e kryera në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Semani ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021).
Kjo ngjarje ka ndodhur vite më parë, më 2019, ku avokati Semani u ka marrë 25 mijë euro shtetasve Ll. D. dhe S. D., pasi i ka premtuar se do ushtrojë ndikim tek gjyqtarët e çështjes, të cilët po shqyrtonin çështjen në ngarkim të shtetasit Ll. D., për favorizimin e tij në masën e dënimit. Marrja e sasisë prej 9.550 Euro, nga avokati në banesën e shtetasit Ll. D. është regjistruar me audio dhe video nga familjarët e tij.
Sipas deklarimeve të shtetasve të tjerë të cilët kanë patur dijeni për këtë ngjarje, shumën tjetër avokati e mori me këste, deri në dhënien e vendimit përfundimtar gjatë fazës së rigjykimit në shkallën e parë. Mirëpo, pavarësisht shumës së majme që iu dha avokatit, shtetasi Ll.D u shpall fajtor nga Gjykata e Korçës. Për këtë arsye familjarët e të dënuarit i kërkuan kthimin mbrapsht të parave. Semani i ktheu vetëm 8 mijë euro, ndërsa pjesën tjetër nuk ia ka kthyer.
"Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr. 41-2020-543(91), datë 11.02.2020, e ka deklaruar fajtor të pandehurin Ll. D. për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 88/2 e 25, i Kodit Penal dhe dënuar me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim, (në të njëjtën masë dënimi sikurse ishte dënuar herën e parë me vendimin nr. 10, datë 08.01.2018, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë). Nga shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme, shtetasi nën hetim P. S., i ka kthyer shtetases S. D., shumën prej 8000 (tetë mijë) Euro, ndërsa pjesën e mbetur nuk ia ka kthyer.
Sa më sipër, nisur nga hetimet e kryera në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi P. S., ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021).
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 15, datë 18.02.2024, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit P. S., hetuar për veprën penale“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021).
Masa e mësipërme është ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 19.02.2024", thuhet në njoftim.