Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

ISP thirrje KQZ dhe Prokurorisë: Në garën elektorale gjenden ende individë të njohur për rekorde kriminale dhe korruptive, të hetohen jo vetëm formalisht, por edhe në brendësi (E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb

Instituti i Studimeve Politike (ISP) i ka bërë thirrje edhe një herë KQZ dhe Prokurorinë që të hetojnë jo vetëm formalisht në formularët e dekriminalizimit, por edhe në brendësinë e të dhënave për secilin kandidat në listat shumëemërore.

ISP shprehet se në në garën elektorale dhe në listat shumëemërore, gjenden ende individë të njohur për rekorde kriminale dhe korruptive, politikanë që bëjnë pjesë në listën e zezë të DASH, ish deputetë të larguar nga dekriminalizimi, kandidatë që kanë anëtarë të afërt familjar të dënuar për krim të organizuar apo kanë qenë objekt i OFJ-së, individë të përfshirë në dosjet penale 184 dhe 339, si dhe individë të njohur për përdorim dhune në disa procese zgjedhore të mëparshme.

ISP apelon KQZ dhe Prokurorinë që të hetojnë jo vetëm formalisht në formularët e dekriminalizimit, por edhe në brendësinë e të dhënave për secilin kandidat në listat shumëemërore për të siguruar largimin sa më parë nga listat dhe zgjedhjet të individëve me të dhëna në kundërshtim me parimet e ligjit 138/2015.

E plotë:

Instituti i Studimeve Politike (ISP) konstaton se gjatë ditëve të fundit ka pasur disa raste kur parti politike refuzuan të përfshijnë në lista individë të njohur, të përfshirë direkt apo indirekt në lidhjet me botën e krimit dhe ish subjekte të dekriminalizimit.

Gjithashtu 9 anëtarë të KZAZ-ve të propozuar nga partitë politike janë refuzuar nga organet përgjegjëse për shkak të rekordeve penale të papërshtatshme me funksionin zgjedhor. Dy partitë e mëdha lanë jashtë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve dhe madje edhe jashtë listës së kandidatëve kryetarët e Komisioneve të Etikës dhe të Integritetit në partitë respektive, – një tregues i formalitetit të këtyre strukturave dhe i vetë procesit të parandalimit të hershëm.

ISP konstaton me keqardhje se pavarësisht presionit pozitiv të shoqërisë civile, medias dhe faktorit ndërkombëtar, në garën elektorale dhe në listat shumëemërore, gjenden ende individë të njohur për rekorde kriminale dhe korruptive, politikanë që bëjnë pjesë në listën e zezë të DASH, ish deputetë të larguar nga dekriminalizimi, kandidatë që kanë anëtarë të afërt familjar të dënuar për krim të organizuar apo kanë qenë objekt i OFJ-së, individë të përfshirë në dosjet penale 184 dhe 339, si dhe individë të njohur për përdorim dhune në disa procese zgjedhore të mëparshme. Në disa raste subjekte të dekriminalizimit apo të OFJ kanë arritur të delegojnë anëtarë të rëndësishëm të familjes së tyre në listat e kandidatëve për deputetë. Paradoksalisht midis tyre gjenden edhe deputetë apo ish deputetë që kanë rekorde negative në bilancin parlamentar, por që në logjikën elektorale të shefave të tyre politikë, ata kontrollojnë në rrugë informale zona apo komunitete të caktuara lokale.

ISP apelon KQZ dhe Prokurorinë që të hetojnë jo vetëm formalisht në formularët e dekriminalizimit, por edhe në brendësinë e të dhënave për secilin kandidat në listat shumëemërore për të siguruar largimin sa më parë nga listat dhe zgjedhjet të individëve me të dhëna në kundërshtim me parimet e ligjit 138/2015.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) do të monitorojë standardet e dekriminalizimit tek partitë dhe kandidatët. Qytetarët, media dhe shoqëria civile janë partnerët tanë kryesorë, në mënyrë që çdo zë publik të mund të ngrejë zërin për të krijuar një klimë të disfavorshme ndaj kandidatëve me rekorde kriminale.

Shqipëria meriton parlament e politikë të pastër, cilësi në përfaqësim dhe ndarje të qartë nga ndikimet e krimit.

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll