Hapësire reklamuese

Politikë

ISP: Kryetarët e partive në “hapat” e Ahmet Zogut, nuk respektuan opinionin e “Venecias”, pas votimeve do të “shkelin” mbi vullnetin e qytetarëve

Shkruar nga Newsbomb

Kandidimi në 4 qarqe i kryetarëve të partive politike në Shqipëri bie ndesh me opinionin e Komisionit të Venecias, që kishte kërkuar nga kryetarët të mos e aplikonin këtë pikë të Kodit Zgjedhor në zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Institutit të Studimeve Politike, kandidimi në 4 qarqe i kryetarëve të partive u jep mundësi atyre të kenë më shumë publicitet, por ka edhe një tjetër problem.

Pas shpërndarjes së mandateve, kryetarët e partive që kanë fituar në më shumë se 1 qark, do të duhet të zgjedhin se cilin qark duhet të përfaqësojnë, duke “shkelur” mbi vullnetin e qytetarëve të qarkut tjetër që e kanë votuar.

Sipas ISP-së, i pari deputet i zgjedhur në dy zona njëherësh në historinë e Shqipërisë ishte Ahmet Zogu më 1923, i zgjedhur në Durrës e Dibër. Rreth 100 vjet më pas situata përsëritet edhe nga vetë ata drejtues të forcave politike, që ende pas një shekulli tek Zogu vijojnë të shohin ideologjikisht modelin e sundimit mbi ligjet dhe jashtë rregullave të demokracisë.

Analiza e plotë e ISP-së:

Partitë në Shqipëri kanë drejtues, por në rastin tonë, duke perifrazuar George Orëell, ata gëzojnë një privilegj të vecantë: “të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të baranartë se të tjerët”. Kështu, sipas Kodit Zgjedhor, çdo kandidat në zgjedhje ka të drejtë të jetë vetëm në një zonë zgjedhore, me përjashtim të kryetarëve. Kodi Zgjedhor, neni 67 (3), përcakton se “bën përjashtim nga ky rregull kryetari i partisë apo i partisë udhëheqëse të koalicionit, i cili në zgjedhjet për Kuvendin mund të regjistrohet deri në katër zona zgjedhore”.

Komisioni i Venecias, në opinionin e tij në dhjetor 2020, shprehet se sipas nenit 67(3) të Kodit Zgjedhor të rishikuar, lideri i partisë politike mund të emërohet si kandidat në deri katër zona zgjedhore për zgjedhje parlamentare. Ky është përjashtim nga rregulli i përgjithshëm ku çdo person mund të jetë kandidat vetëm në një listë dhe vetëm në një zonë zgjedhore. Në përputhje me parimin e votimit të barabartë që garantohet me traktate dhe standarde ndërkombëtare, të gjithë personat duhet të kenë të drejtën të garojnë në zgjedhje në kushte të barabarta. Ka mjaft dyshime se trajtimi preferencial i drejtuesve të partive ndjek ndonjë qëllim legjitim. Për më tepër, të jesh kandidat në disa qarqe mund të ketë ndikim pozitiv në publicitetin e kandidatëve, gjë që sërish mund të çojë në situatë të privilegjuar. Venecia thekson se një dispozitë e ngjashme, që është kritikuar në Raportin Përfunditar të ODIHR-it të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, është hedhur poshtë sipas rekomandimeve të ODIHR-it. Në përfundim, Komisioni i Venecias sugjeronte që “udhëheqësit politikë duhet të angazhohen që të mos kandidojnë në disa zona zgjedhore dhe kjo dispozitë duhet të rishikohet pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021”.

Opinioni i Venecias u lexua, por kryetarët e partive e përkthyen në forma të ndryshme. Kjo është zgjedhje e tyre ligjore, megjithëse demokracia është shumë më tepër sesa procedurë formale. Një problem tjetër lidhet me produktin e konkurrimit në 4 zona. Sipas nenit 67, 3, “Pas shpërndarjes së mandateve, sipas këtij ligji, ai (kryetari) nuk mund të zotërojë më shumë se një mandat, të cilin e zgjedh me vullnetin e tij të lirë“, kryetari që ka fituar më shumë se një mandat zgjedh cilin mandat do të mbajë. Përveçse kjo mund të cilësohet mungesë korrektese me qytetarët që e kanë votuar, duke menduar se kanë zgjedhur deputetin e tyre, krijon edhe një privilegj tjetër të kryetarëve, sepse ata vetë duke zgjedhur zonën, de facto vendosin se cili do të jetë deputet në listën pasuese shumëemërore. Pra, akti i tyre zgjedh automatikisht një deputet/e, që nuk është zgjedhur mbi bazën e konkurrimit të barabartë dhe të përgjithshëm zgjedhor. Për shembull, Rama, duke qenë kryetar i PS votohet nga anëtarët e saj në Vlorë e Durrës, por më 26 prill ai do të vendosë se kujt do t’ia japë njërin prej mandateve të tij, emrit pasues në Durrës apo atij pasues në Vlorë. E njëjta logjikë vlen edhe për rastet e tjera të kryetarëve në disa zona.

Ky është një prej disa elementëve të Kodit Zgjedhor që krijon pabarazi dhe konflikt me normat kushtetuese, dhe për të cilat edhe Gjykata Kushtetuese do të duhej të shprehej përpara zgjedhjeve. Padia është bërë, por siç ndodh rëndom, institucionet tona flasin pas partive! Madje vetë rregullat statusore në shumicën e partive politike, përfshirë partinë kryesore në qeveri, kanë të përcaktuar parimin e barazisë në konkurrim dhe ndalimin e konkurrimit për dy poste njëherësh, siç është rasti i kryetarëve në katër zona. Për statistikë historike, i pari deputet i zgjedhur në dy zona njëherësh në historinë e Shqipërisë ishte Ahmet Zogu më 1923, i zgjedhur në Durrës e Dibër. Rreth 100 vjet më pas situata përsëritet edhe nga vetë ata drejtues të forcave politike, që ende pas një shekulli tek Zogu vijojnë të shohin ideologjikisht modelin e sundimit mbi ligjet dhe jashtë rregullave të demokracisë!

Lexo gjithashtu

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.