Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

ISP bilanc kritik Kuvendit: 34 muaj vonesë në plotësimin e vakancave në institucione

Shkruar nga Newsbomb

Kuvendi e Shqipërisë, krahas funksionit përfaqësues, legjislativ dhe kontrollues, ka edhe funksion të rëndësishëm zgjedhor. Nga Kuvendi zgjidhen një numër i madh funksionarësh të rëndësishëm shtetëror dhe publikë, titullarë institucionesh ose anëtarë të enteve kolektive drejtuese nga Presidenti i Republikës deri tek anëtarët e ISKK-së, një institucion me renditje simbolike në hierarkinë institucionale në Shqipëri.

Instituti I Studimeve Politike (ISP) monitoron parlamentin, përfshirë edhe përgjegjësitë dhe praktikat e ushtrimit të funksionit të tij zgjedhor. ISP është duke u angazhuar në monitorimin e Kuvendit, përfshirë standardet e ushtrimit të funksionit zgjedhor, të parandalimit të konfliktit të interesit, respektimit të Rregullores dhe Kodit të Sjelljes, si dhe përgjegjësive që burojnë nga detyrimet në kuadër të procesit të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Nga ky angazhim, ISP ka evidentuar gjetje të rëndësishme që lidhen me praktikat pozitive dhe negative, interpretimet me standarde të ndryshme të procedurave dhe vendimmarrjeve, rastet e vetos ose preferencave politike, devijimet nga kriteret e transparencës apo raste të konfliktit të interesit.

Situate aktuale në dhjetor 2023? Tabela e hartuar nga ekspertët e ISP-së tregon qartësisht situatën dhe hendekun e thellë midis përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të parlamentit dhe aftësisë së tij për të përmbushur këto përgjegjësi. Tabela paraqet vetëm 10 rastet më flagrante, ku vakancat e krijuara me burim zgjedhor Kuvendin arrijnë nga 8 në 34 muaj!

Kandidatet-Kuvend-Vakanca @Credits:  Instituti i Studimeve Politike Kandidatet-Kuvend-Vakanca @Credits: Instituti i Studimeve Politike

Një legjislaturë parlamentare zgjat 48 muaj, vonesa 28, 29 apo 34 muaj është rekord negativ dhe shqetësim serioz mbi integritetin e ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese nga Kuvendi. Tabela ilustron edhe raste të tjera, ndërkohë që ekipi monitorues ka renditur edhe së paku 15 raste të tjera zgjedhore, të cilat janë në proces dhe për të cilat ende nuk ka avancuar sipas afateve ligjore procedura zgjedhore / zëvendësuese nga Kuvendi.

Sipas të dhënave të ekspertëve monitorues të ISP, në shkurt 2021 një anëtare e Komisionit të Prokurimit Publik dha dorëheqje nga posti. Sipas ligjit organik, Këshilli i Ministrave propozon kandidatin pasues jo më vonë se 30 ditë dhe procedura vijon me kalim në komisionin përgjegjës parlamentar dhe në fund në seancën plenare në Kuvend. Prej asaj date kanë kaluar 34 muaj dhe ende vendi mbetet vakant, Kuvendi nuk e ka përmbushur ende detyrimin e tij ligjor.

Në korrik 2021 dha dorëheqje një anëtare e Këshillit të Statistikave, por vetëm në maj 2023 Këshilli i Ministrave shpalli kandidaturën dhe në tetor 2023 komisioni përgjegjës e mori në shqyrtim. Pas 29 muajsh ende vendi është vakant dhe Kuvendi duhet të marrë vendimmarrje përmes votimit.

E njëjta praktikë edhe me vendin vakant në Këshillin Drejtues të RTSH dorëhequr në gusht 2021. Pas 28 muajsh ende nuk ka një emër zëvendësues dhe Kuvendi ende nuk e ka përmbushur detyrimin e vet ligjor.

Për më tepër, ka raste kur edhe kur janë kryer të gjitha procedurat (thirrja, propozimet, seanca në komision, etj) vendimmarrja në seancën plenare është shtyrë pa shpjegime, duke lënë institucione të rëndësishme me vende vakante drejtimi ose me mandate të tejkaluara përtej mandatit ligjor.

Rasti tipik është vendi vakant në Komisionin e Konkurrencës. Më 31 janar 2023 komisioni shqyrtoi kandidatët por grupi parlamentar i mazhorancës deklaroi dorëheqjen nga firmat mbështetëse, dhe për pasojë, vendi vijon të jetë vakant. Ose Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mandati i të cilit ka përfunduar në prill 2023. U bë thirrja, seanca dëgjimore, kalimi i kandidatëve dhe ende pas 8 muajsh nuk ka përfshirje në agjendë për votim e vendimmarrje në seancën plenare.

Rasti më flagrant me institucionet e rëndësishme është institucioni i Avokatit të Popullit.

Mandati drejtues aktual i AP ka përfunduar më 22 maj 2022, pra më shumë se 19 muaj dhe ende Kuvendi nuk ka një vendimmarrje. Në fillimin e sesionit parlamentar në shtator 2022 dhe në shtator 2023 e njëjta mazhorancë deklaroi se brenda sesionit (shtator-dhjetor 2022 dhe 2023) do të zgjidhej Avokati i Popullit, por tentativa e dhjetorit 2022 dështoi me veto politike të mazhorancës, ndërkohë që jemi në dhjetor 2023 dhe ende nuk ka shenja të konsensusit ose dialogut politik parlamentar për zgjidhje. Ky rast është cituar edhe në raport progresin e BE për Shqipërinë për vitin 2023.

Së fundi, shqetësimi i ISP nuk është vetëm vonesa dhe pengesa në jetësimin e funksionit zgjedhor nga parlamenti, por edhe risku që praktika të tilla devijuese nga standardet e mira parlamentare të kthehen rutinë dhe normë pune nga Kuvendi. Këtë shqetësim e mbështet fakti se asnjë nga partitë kryesore parlamentare dhe gjithashtu asnjë nga strukturat vendimmarrëse parlamentare, përfshirë komisionet përgjegjëse, Byroja apo Konferenca e Kryetarëve, nuk e kanë ngritur shqetësimin dhe nuk e kanë adresuar atë në rrugë publike ose institucionale.

Pra, Kuvendit i mungon instrumenti që mundëson vetëvlerësimin dhe reagimin ndaj përgjegjësive të pa përmbushura. Strukturat administrative përgjegjëse nuk kanë fuqi mbi strukturat politike vendimmarrëse dhe të gjitha rastet kanë të bëjnë me këto të fundit.

Duke informuar publikun për gjendjen në raport me përgjegjësitë parlamentare, ISP apelon Kuvendin të reagojë, të reflektojë dhe të minimizojë hendekun e thellë midis retorikës publike dhe akteve konkrete deficitare, të cilat kanë impakt negativ për standardet e demokracisë funksionale, shtetit të së drejtës dhe integritetit të vetë parlamentit dhe të institucioneve të pavarura dhe kushtetuese me burim institucionin e Kuvendit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese