Kërcënimeve kryesore direkte nga ana e terroristëve të ISIS, nuk i shpëton dhe njeriu më i fuqishëm në botë, Barack Obama. Presidenti i SHBA është kërcënuar fizikisht nga militantët, edhe pse nuk ka detaje për një plan konkret mbi eliminimin e Obamës.
Në një video publikuar së fundmi, xhihadistët e ISIS kanë shtuar dozën e kërcënimit. “Obama, ne do të arrijmë në Amerikë, dhe dije gjithashtu se ne do të presim kokën tënde në Shtëpinë e Bardhë, dhe do t’a transformojm Amerikën në një ‘Provincë Myslimane” ka thënë një xhihadist i veshur në të zeza në video.
Organizata terroriste ISIS që ka ndërtuar shtetin islamik në territoret e pushtuara në Siri dhe Irak, ka kërcënuar përsëri Europën. Militantët pretendojnë të deportojnë dhe të sulmojnë shtetet Europiane duke përdorur emigracionin klandestin nëpërmjet Libisë.
Mediat libiane informojnë se kanë marrë një raport nga organizata terroriste ku theksohet se ISIS-i po kërkon te trazojë dhe shkatërroj Europën duke përdorur emigrantët klandestin.
“Libia ka një bregdet të gjatë përballë Evropës Jugore që mund të arrihet lehtësisht me varka të thjeshta. Shumë prej tyre mund të arrijnë t’i shmangen sigurisë detare dhe të mbërrijnë në zemër të qyteteve evropiane. Nëse arrijmë të zhvillojmë si duhet këtë mundësi në mënyrë strategjike, atëherë situata në këto vende do të transformohet në një ferr të vërtetë”, thuhet në raport, i cili mbetet për t’u verifikuar për vërtetësinë e tij.
“Nëse arrijmë të shfrytëzojmë këtë mundësi, atëherë situata në Evropë do të transformohet në një ferr”, theksohet në raport.
Ndërkohë Japonia ka ofruar ndihmë në negociatat me ISIS për pengun japonez të militantëve, si dhe pilotin jordanez që mbahet nga ISIS. Sipas mediave britanike, mund të ketë shkëmbim të burgosurish si dhe kalimi i një shume parash në arkat e ekstremistëve.
ISIS ka ofruar lirimin e jordanezit Mu'ath al-Kaseasbeh, nëse Jordania liron Sajida al-Rishawi, militante ekstremiste e burgosur.